Kosova përfaqësohet me 4 atletë në Lojërat Olimpike Speciale në Abu Dhabi

Prishtinë | 06 Mar 2019 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion i Olimpiadës Speciale të Kosovës do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore që do të mbahen në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga 14 mars deri më 21 mars 2019.

Olimpiada Speciale e Kosovës do të përfaqësojë vendin tonë me 4 atletë dhe 3 anëtarë të tjerë të delegacionit, tregon për Ekonomia Online Drita Dushi-Parduzi, drejtoreshë në Olimpiadën Speciale të Kosovës

Atletët Anila Kastrati, Sheqir Vllasaliu, Ibish Zogaj dhe Qëndresa Dili do të garojnë në atletikë, përkatësisht në vrapim 100m, 200m 400m dhe hedhje të gjyles.

“SO Kosovo është OJQ e cila merret me integrimin e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara intelektuale në sport. Veprojmë qysh nga vitit 2003 dhe jemi të akredituar edhe nga Olimpiada Speciale Ndërkombëtare. Edhe këtë vit kemi kënaqësinë që kemi marrë ftesën që ne SO Kosovo të marrim pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore, që do të mbahen në Abu Dhabi nga data 14 Mars-21 Mars 2019. Delegacioni ynë udhëton më 7 mars 2019 për të marrë pjesë në këto gara”, thotë Dushi-Parduzi.

Në këto gara ndërkombëtare sportive marrin pjesë më shumë se 170 shtete nga mbarë bota, ndërsa pritet që të garojnë rreth 7000 atletë me aftësi të kufizuar intelektuale.

Shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit në Abu Dhabi për 7 anëtarët e delegacionit të Kosovës janë mbuluar nga vetë organizatorët – Olimpiada Speciale Ndërkombëtare, përderisa shpenzimet e udhëtimit – fluturimit Prishtinë – Abu Dhabi dhe anasjelltas, së bashku me rekuizitat sportive, janë sponsorizuar  nga Departamenti i Sportit, në kuadër të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Për këtë mbështetje duhet falënderuar në veçanti drejtorin e këtij departamenti, Iber Alaj, dhe Afërdita Fazlijajn, zëvendësdrejtoreshë dhe udhëheqëse e Divizionit të Federatave Sportive, të cilët ishin ata që mbështetën pjesëmarrjen e delegacionit tonë. Po ashtu falënderojmë Agron Gashin, menaxher i sportit për federatat sportive në këtë departament. Një falënderim i veçantë shkon edhe për Fatlum Grajqevcin, menaxher në departamentin e sportit, i cili vullnetarisht ka shprehur interesimin dhe na ka ndihmuar neve stafit të SO Kosovo për t’i parapërgatitur atletët tanë në sportin e atletikës në kategoritë e lartpërmendura”, shprehet drejtoresha e SO Kosovo.

Ajo bën të ditur se parapërgatitjet janë kryer në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. “I falënderojmë shumë përgjegjësit që na kanë lejuar shfrytëzimin e stazave pranë fushës futbollit për parapërgatitjen e atletëve tanë. Po ashtu, falënderojmë edhe ‘British School Kosova’, e cila se bashku me menaxhmentin e saj, në krye me drejtoreshën Diana Qarkaxhija, kanë pajisur delegacioni tonë me 7 pale veshmbathje sportive – trenerka për 7 anëtarët e delegacionit pjesëmarrës në këto lojëra”.

Kryesuese e këtij delegacioni, i cili do të udhëtojë të enjten, do të jetë Igballe Asllani-Potera, presidente e SO Kosovo.

Atletët pjesëmarrës janë: Anila Kastrati, Sheqir Vllasaliu, Ibish Zogaj dhe Qendresa Dili. Trajnere është Nora Potera, kurse mjeku përcjellës i delegacionit është Dr. Agron Dushi.

Drejtoresha e SO Kosovo, Drita Dushi-Parduzi, iu uron shumë fat atletëve kosovarë në këto gara. “Ndihemi krenarë që kemi pasur mundësi që edhe atletet tanë të jenë pjesëmarrës në këto lojëra me rëndësi për komunitetin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale, duke e përfaqësuar Republikën e Kosovës në mënyrë të dinjitetshme”.

Në fund, Dushi-Parduzi falënderon edhe një herë të gjithë mbështetësit dhe bën thirrje që shoqëria në përgjithësi të japë përkrahje morale për këtë kategori. “T’iu japim mundësi që edhe fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar të tregojnë aftësitë e tyre”, thekson ajo.

Pamje nga ushtrimet e atletëve specialë në stadiumin “Fadil Vokrri”

Të ngjashme