Kosova pranohet në GPSA

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 16:10 | Nga

Qeveria e Kosovës së fundi është pranuar në GPSA (Global Partnership for Social Accountability), duke u mundësuar kështu organizatave të shoqërisë civile (OShC) në vend të aplikojnë në thirrje për propozim dhe të pranojnë fonde për projekte që kanë të bëjnë me përgjegjësinë shoqërore në vend. Grantet nga GPSA zakonisht zgjasin nga 3 deri në 5 vite dhe janë të shoqëruara nga një program solid për ndërtimin e kapacitetit për pranuesit e granteve në mënyrë që suksesi i projekteve të jetë i garantuar përmes angazhimit konstruktiv dhe mekanizmave strategjikë për përgjegjësinë shoqërore.

Ky hap është sinjal shtesë për progresin që GPSA është duke bërë në regjionin e Evropës dhe Azisë Qendrore (EAQ).

Avdullah Hoti, Ministër i Financave i Kosovës, deklaroi, “Jam shumë i lumtur që kemi hyrë në programin GPSA të Grupit të Bankës Botërore. Kosova mbetet e vendosur për përmirësimin e qeverisjes, transparencës, dhe përgjegjësisë së institucioneve të saj. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në GPSA shërben si dëshmi për këtë vendosmëri dhe siguron që OShC-të tona të pranojnë mbështetje strategjike dhe të vazhdueshme për nismat e tyre rreth përgjegjësisë shoqërore duke ngritur edhe nivelin e bashkëpunimit me qytetarët. E pres me padurim bashkëpunimin tonë të ngushtë me GPSA-në dhe shpresoj që ky program do të përkrahë shumë shpejtë iniciativat rreth përgjegjësisë shoqërore nga OShC-të e Kosovës që synojnë ngritjen e transparencës dhe përgjegjësisë në vendin tonë.”

GPSA ka përfaqësim të rëndësishëm në regjionin e EAQ, me tetë shtete pjesëmarrëse, pesë projekte, dy donatorë dhe 11 Partnerë Global. Gjithashtu, GPSA është duke shkuar drejt një qasjeje regjionale në frymën e përgjegjësisë shoqërore strategjike. Së bashku me Programin për Partneritet për Ujë (PPU) dhe Oxfam-in, GPSA është duke organizuar forumin e saj të parë regjional për përgjegjësinë shoqërore në Taxhikistan. Deri më sot, 51 vende i janë bashkuar këtij programi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme