Kosova me rreth 60 mijë vetura të paregjistruara

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 13:16 | Nga

Komisioni për Buxhet dhe Financa mbajti takim me akterët relevantë, për çështjen e Kartonit të gjelbër ku u tha se mos anëtarësimi i Kosovës në OKB po e pamundëson pajisjen me Karton të Gjelbër. Derisa u bë e ditur se 60 mijë vetura në vend janë të pasiguruara. Për këtë u kërkua që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje alternative për çështjen e kartonit të gjelbër.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, tha se brenda një periudhe shumë të shkurtër duhet gjetur një zgjidhje alternative për të zgjidhur çështjen e Kartonit të Gjelbër, derisa shtoi se 20 përqind e veturave të paregjistruara është një shifër alarmante e cila duhet të ulet.

“Është absurde që 20 vjet pas luftës qytetarët të mos pajisen me karton dhe është turp që diaspora të vazhdojë të paguajë”, tha ai.

Sipas tij, kjo do të jetë çështje jetike në periudhën e liberalizimit të vizave.

Naser Osmani tha se tash Kosova ka hyrë në një fazë tjetër, të kartonit të gjelbër, pasi që qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë 250 euro për një muaj në Kroaci.

“Kam përshtypjen se çështja e kartonit të gjelbër ka mbetur pa u zgjidhur si rezultat i mungesës së vullnetit”, u shpreh ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, theksoi se kanë mbetur dy çështje të brendshme për t’u zgjidhur, e që sipas tij, ka mbetur për t’u rregulluar çështja e automjeteve të pasiguruara.

“Lejohet vetëm 5 përqind të jenë automjete të pasiguruara, ndërsa ne e kemi 20 përqind. Kjo është një detyrë shtëpie që duhet ta kryejmë dhe për këtë duhet të ketë vetëm vullnet politik për të zgjidhur këtë problem. Dhe çështja tjetër që ne është dashtë me e ngritë është një reklamë apo fushatë për të informuar publikun brenda 5-6 muaj dhe nuk ka kosto shumë të lart”, tha ai.

Ndërsa Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave, tha se Kosova duhet të arrijë të realizojë edhe disa kritere të jashtme e që është nënshkrimi i Traktatit të Vjenës dhe prefiksi.

“Ne duhet të kemi një targë, ndërsa i kemi tri. Duhet ta nënshkruajmë Traktatin e Vjenës dhe një variantë e cila është diskutuar në BE është që të nënshkruajmë një marrëveshje me Unionin Evropian, ku hiqet pagesa që diaspora duhet të paguajë për të hyrë në vendin tonë. Pa qenë anëtarë të OKB është e pamundur të bëhemi anëtar të kartonit të gjelbër”, tha ai.

Ndërsa guvernatori Fehmi Mehmeti tha se nuk i sheh këto si çështje problematike. Ai tha se në rast se Kosova nuk arrin të marrë kartonin e gjelbër do të shikohet të gjendet një zgjidhje alternative.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme