Kosova shkëmben me fqinjët të dhënat e paralajmërimit të përmbytjeve

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 15:01 | Nga

Institutet Hidro-meteorologjike të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë nënshkruan sot në Prizren një Memorandum Mirëkuptimi për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me qëllim përmirësimin e paralajmërimit të hershëm të popullsisë në rast përmbytjesh.

Me anë të pajisjeve moderne u kryen matjet e prurjeve të lumit Drin në vendin e quajtur “Gryka e Prizrenit”, dhe këto të dhëna do të shkëmbehen mes vendeve në kohë reale për të pasur një informacion më të detajuar dhe të thelluar mbi situatat e reshjeve apo përmbytjeve.

Kryeshefi i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, u shpreh se ky takim është mjaft i rëndësishëm, sepse të gjitha vendet e rajonit janë bashkë.

Ai shtoi se është shumë mirënjohës ndaj përkrahjes së GIZ-it në bashkëpunimin rajonal.

“Katër vitet e ardhshme synojmë të krijojmë rrjetin rajonal, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave të përbashkëta”, tha ai.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtorët e Instituteve Hidrometeorologjike, përkatësisht nga Letafete Latifi, Fatos Hoxhaj, Luka Mitroviq dhe Oliver Romevski. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori i projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”, Gerrit Bodenbender.

“Situata e javës së kaluar tregon se ajo çfarë po bëjmë sot është shumë e rëndësishme sepse ka impakt të drejtpërdrejtë mbi njerëzit. Gjithashtu përmbytjet treguan sa të rëndësishme janë institucionet tuaja. Me mbështetjen e këtij projekti, institutet hidro-meteorologjike të katër vendeve do të vazhdojnë të përmirësojnë parashikimin e përmbytjeve në rajon”, tha ai.

“Shkëmbimi në kohë reale e të dhënave, kombinuar me harta të detajuara të zonave që rrezikohen nga përmbytjet dhe modelin hidrologjik të basenit të lumit Drin, do të ndihmojnë në krijimin e një modeli parashikues që do të përdoret nga katër vendet”, theksoi Bodenbender.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme