Kosova solidarizohet me Amerikën për nder të 11 Shtatorit

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 12:01 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka organizuar disa aktivitete në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në ShBA, raporton Ekonomia Online.

Në shenjë solidarizimi me shtetin mik, policia, zjarrfikësit dhe ambulanca kanë ndezur sirenat dhe dritat e mjeteve të tyre, derisa garda e nderit e Policisë së Kosovës ka ulur në gjysmë shtizë flamurin amerikan.

Në këtë vend janë vendosur edhe fotografi dhe janë ndezur qirinj para emrave dhe imazheve të viktimave.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se në kohët më të vështira e kemi pasë një aleat si Amerika.

“Populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar ka ditë me vepru, e me i tregu popullit amerikan se ne jemi ata që e kemi merituar të na ndihmojnë. Ta dinë populli amerikan dhe institucionet amerikane se në veçanti populli shqiptar është falënderues dhe do të na keni aleat përjetë e mot. Këtë organizim e kemi në bashkëpunim me komunën e Fushë Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe me Qendrat Emergjente të Kosovës. Ishte viti 2000 kur ne i kishim ende varret e hapur a dhe ne së bashku me Amerikën e bashkëjetuam ngjarjen e 11 Shtatorit dhe e përcjellim me lot”, tha ai.

Kryetar i Shoqatës “Lushnja”, Durim Meta, tha se kjo ditë përkujtimore vitin e ardhshëm duhet të mbahet në Lushnjë.

“Kombi shqiptar është një, pavarësisht Kosovë- Shqipëri. Kombi shqiptar në ditët e tij më të vështira ka pas një aleat si SHBA-në. Kjo përkujtimore që ne po bëjmë sot është një rast për të treguar që miqtë tanë do të mbesin Amerika. Faleminderit Amerikë që ndihmuat kombin shqiptar. Bëjë thirrje që kjo përkujtimore vitin e ardhshëm të mbahet në Lushnjë ku është mbledh edhe Kongresi ku hodhi bazat e shtetit shqiptar”, tha ai, raporton EO.

Drejtoresha e Programit ICITAP për Kosovë, Cimberly Ëhit, përmes një fjalimi përkujtoi edhe një herë ngjarjen e 11 shtatorit në Amerikë.

Ajo falënderoi Shoqatën “Miqtë e Kosovës për këtë organizim.

“Sot është një ditë ku duhet të përkujtohet tragjedia e 11shtatorit 2001 në Amerikë. Faleminderit Policisë dhe Qendrave të Emergjencës që janë të pranishëm sot këtu”, tha ajo.

Të ngjashme