Kosova vendi i parë në Evropë që nuk shtyp më gazeta

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Nëpër kioska e të dyqaneve në Kosovë më nuk do të mund të gjeni gazeta të shtypura. Teknologjia dhe rritja enorme e numrit të mediave online ka bërë që Kosova të mbetet pa një prej formave tradicionale të gazetarisë.

Të gjitha gazetat të cilat janë shtypur në vend si Kosova Sot, Zëri, Koha Ditore, Epoka e Re e të tjera, tashmë kanë mbetur vetëm në versionin e tyre online (portale), duke e bërë Kosovën me gjasë vendin e parë në Evropë ku nuk printohen më gazeta.

Përjashtim bën vetëm Koha Ditore e cila ende u jep mundësi lexuesve që të gjejnë versionin e gazetës në formën online dhe pa pagesë. Nuk dihet nëse ky medium do të vazhdojë pas pandemisë të shpërndajë versionin e shtypur të gazetës.

Ata që e kanë pasur gazetën si pjesë të ritit të kafesë së mëngjesit tashmë do t’iu duhet ta zëvendësojnë atë me një smart-phone, i cili të krijon mundësi shumë më të mëdha për të marrë informacione edhe në kohë reale për ngjarjet që ndodhin në vend, rajon e botë.

Gazeta Express ka qenë mediumi i parë në vend që ka ndaluar së botuari gazetën në mënyrë të shtypur dhe që ka kaluar në versionin online. Nga një gazetë e shtypur Express kishte kaluar në versionin e mediumit online më 22 mars 2013.

Derisa në vendet e rajonit situata nuk është e njëjtë. Në Serbi dhe Maqedoni të Veriut ende vazhdon shitja e gazetave në formë të shtypur./Express/

Të ngjashme