Kosova voton për herë të dytë në 21 komuna

Prishtinë | 14 Nën 2021 | 05:54 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët e 21 komunave të vendit do t`i drejtohen sot kutive të votimit për herë të dytë në zgjedhjet lokale, ku 42 kandidatë do të përballen në balotazh për të fituar mandatin e kryetarit.

Të drejtë vote në këtë raund të dytë kanë 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë, këta votues të drejtën e tyre mund ta ushtrojnë në 575 qendra të votimit me gjithsej 1,638 mijë vendvotime.

Gjakovë, Drenas, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot janë komunat që votojnë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ndërsa në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave.

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, 10 përqind apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi.

KQZ-ja në këto votime do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.

Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2,450, prej të cilëve 1,544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.

Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me COVID-19.

Zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit, ndërsa Bashkimi Evropian tashmë ka dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Kërkesa drejtuar BE-së për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e mëhershëm të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, ka emëruar deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas Borrel, “Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike”.

Kujtojmë se gjatë raundit të parë emrat e 18 mijë e 252 personave të vdekur janë larguar nga lista votuese e zgjedhjeve lokale e cila do të shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve – e njëjta listë ka mbetur edhe në raundin e dytë.

Numri i votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet raundi i dytë ishte: Gjakovë (1,089), Gllogoc (175), Gjilan (607), Dragash (1,090), Istog (707), Kaçanik (166), Klinë (437), Fushë Kosovë (135), Kamenicë (442), Obiliq (60), Rahovec (382), Podujevë (337), Prishtinë (666), Prizren (921), Shtime (116), Viti (754), Vushtrri (174), Malishevë (714), Junik (1,054), Mamush (192) dhe Kllokot (10).

Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.

Procesi i votimit përmes postës për komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve ka përfunduar të premten në mesnatë. Gjatë periudhës së votimit përmes postës (29 tetor – 12 nëntor) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,571 pako të supozuara me fletëvotime.

Sot nga ora 07:00 deri në ora 19:00, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur kryetarët për 21 komunat e vendit.

Të ngjashme