Kosovarët me peticion kërkojnë hapjen e xhamive

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Kosova të hënën më 18 maj, do të nisë fazën e dytë të lehtësimit të masave, por në këtë fazë nuk parashihet edhe hapja e xhamive.

Kjo po kundërshtohet nga besimtarët të cilët kanë nisur nënshkrimin e një peticioni online, ku kërkojnë që si pjesë e lehtësimit të masave të përfshihen edhe xhamitë.

Peticioni i drejtohet Bashkësisë Islame që të reagojë për vendimin e moshapjës së xhamive, ndërsa për pak orë është nënshkruar nga rreth 4000 qytetarë.

“Kërkesë për hapjen e dyerve të xhamive për besimtarët myslimanë. BIK, tani është radha juaj”, shkruan në peticionin online të nisur nga e shtuna.

Përmes tij këkohet reagimi i BIK-së që të dihet se kur mendohet të hapen xhamitë.

“Mosçelja e dyerve të Shtëpive të Zotit në tokë, po shoqërohet gjithashtu edhe me mungesën totale të një prononcimi nga drejtuesit e BIK, se kur mendohet se do të hapen xhamitë në vend, nëse ka një studim hap pas hapi të situatës dhe ajo që është më e rëndësishmja”, thuhet në tekstin e peticionit.

Në anën tjetër, sekretari i BIK-së, Ahmet Sadriu, në një intervistë për Zërin, ka thënë se në rast se nuk do të bëhet hapja e xhamive deri në festën e Fitër Bajramit, nuk perjashtohet mundësia që namazi i Bajramit të falet edhe në hapsira publike.

“Ne planifikojmë të kemi falje të bajramit, ndoshta do të dalim diku në publik, në natyrë apo shesh, për këtë do ta njoftojmë opinionin me kohë, por ende nuk kemi vendosur diçka të veçant”, ka thënë Sadriu.

Të ngjashme