Kosovarët sërish ia mësyjnë rrugëve ilegale drejtë BE-së

Prishtinë | 18 Qer 2017 | 12:29 | Nga

Gjendja ekonomike e përkeqësuar e ka bërë që mijëra kosovarët t’ia mësyjnë sërish rrugëve ilegale drejt shteteve të BE-së.

Edhe pse viti 2014 njihet për mbi 45 000 kosovarët që imigruan drejt shteteve të perëndimit, ky fluks ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016 dhe 2017, ndonëse në ritme më të vogla.

Në një përgjigje për Indeksonline nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se duke bazuar në shifrat zyrtare të Eurostat, në shtetet e Bashkimit Evropian në vitin 2016 gjithsej kanë qenë 11 mijë e 755 azilkërkues dhe azilkërkues për herë të pare me shtetësi kosovare.

Ndërkaq që nga viti 2014 e deri në muajin shkurt 2017, me forcë ose në mënyrë vullnetare janë kthyer mbi 39 mijë kosovarë që kishin imigruar në mënyrë ilegale.

Vala e parë e dëbimit më forcë të kosovarëve me qëndrim ilegal nga shtetet e BE-së, ishte në vitin 2014, ku u riatdhesuan 4610 persona.

Ndërkaq në vitin 2015 në vend u kthyen 18 732 persona me qëndrim ilegal në BE.

Kjo valë e kthimit ose dëbimit të kosovarëve ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016, ku janë rikthyer 13 024 persona.

Ndërkaq gjate dy muajve të këtij viti janë kthyer 3069 kosovarë të gjithë këta me qëndrim ilegal.

Gjermania ishte shteti që më së shumti kishte pranuar kosovarë ose vendi që kryesisht kosovarët ia kishin mesyer.

Kosovarët se bashku me qytetarët nga Shqipëria përbëjnë shumicën e tretë të azilkërkuesve pas Sirianëve dhe afganëve në vendet e Bashkimit Evropian.

Zvarritja e përmbushjes së kritereve nga ana e Qeverisë së Kosovës për liberalizim të vizave ka bërë që kosovarët të mos shohin shpresë, ku edhe në ditët e sotme ritmi i migrimit ilegal është duke vazhduar edhe tej.

Rasti i fundit ishte ku gjatë kësaj jave katër persona me nënshtetësi kosovare janë ndaluar në pikën kufitare në Jarinje ku për destinacion në rrugë ilegale sipas deklarimit kishin Austrinë.(Indeksonline)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme