Kosovë-BE: Vit i vështirë dhe krejtësisht i pafrytshëm

Prishtinë | 02 Jan 2018 | 17:03 | Nga

Viti 2017 nuk nisi si duhet në Kosovë, ku në momentin e fundit u parandalua një përshkallëzim i situatës së sigurisë pas provokimeve në veri të Kosovës, si një test i Serbisë dhe Rusisë që të shfrytëzojë periudhën transitore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të parë se deri ku mund të shkohet. BE-ja u gjet po ashtu në një pozitë të vështirë duke mos ditur se si të veprojë, pos thirrjeve për ulje tensionesh.

Viti kaloi me disa takime të dialogut, po ashtu të pafrytshme, dhe me përgatitje për të ardhmen e këtij dialogu, e kaluara e të cilit është po aq e paqartë sa edhe e ardhmja. BE-ja nuk pati çfarë t’i ofronte Kosovës në vitin që lamë pas. Ofertat e vjetra mbeten në tryezë, si ajo e liberalizimit të vizave, por pa ndonjë lëvizje, shkruan sot Koha Ditore.

Paralajmërimet për hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkan duket se nuk i ofrojnë Kosovës ndonjë qartësi në këtë proces. Zgjedhjet në Kosovë ndikuan në kaosin edhe në raportet e saj me BE-në, sepse gjatë periudhës parazgjedhore nuk pati guxim e vullnet politik për të zbatuar detyrat as nga agjenda evropiane e as nga dialogu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme