Krasniqi: Policia e Kosovës është një ndër mekanizmat shtetëror më të besueshëm

Prishtinë | 06 Sht 2021 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 22 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar të gjithë policët e Kosovës.

Përmes një shkrimi Krasniqi ka shkruar se Policia e Kosovës është një ndër mekanizmat shtetërorë më të besueshëm.

Tutje, ai shkruan se ka ende punë për të bërë që prestarët e Policisë së Kosovës të kenë trajtim dinjitoz.

Postimi i plotë:

Me rastin e shënimit të 22 vjetorit të themelimit Policisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj të përgëzoj secilin pjestar e drejtues të këtij institucioni vital për rendin dhe sigurinë e qyetarëve tanë.

Në këtë ditë të shënuar për shtetin tonë dhe qytetarët, kujtojmë me nderim policët që ranë në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës dhe jetës qytetarët pa dallim.

Policia e Kosovës është padyshim një ndër mekanizmat shtetëror më të besueshëm, që gëzon respekt dhe manifeston profesionalizëm të madh në shërbim të komunitetit, për rritjen, zhvillimin e integritetin e të cilës, institucionet tona janë përpjekur e kanë investuar vazhdimisht.

Megjithatë, ka ende punë për të bërë që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të kenë trajtim dinjitoz, përfshirë sigurimin e kushteve efikase për punë, rregullimin e statusit për pensionimin e parakohshëm, sigurimin shëndetësor dhe atë të jetës.

Në këtë 22 vjetor, përderisa festojmë këtë traditë të mirëfilltë, njëkohësisht ftojmë që kjo traditë e mirë e këtij institucioni themelor për rend dhe ligj, të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke ruajtur paanësinë dhe duke thelluar shërbimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

Urime 22 vjetori!

Të ngjashme