Krasniqi: Propozimet e Qeverisë për kursimin e energjisë elektrike janë budallallëqe

Prishtinë | 24 Dhj 2021 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Reduktimet e energjisë elektrike po vazhdojnë edhe sot në vendin tonë, madje pa orar.

Për këto reduktime, sipas profesorit universitar Milazim Krasniqi fajtor direkt është Qeveria e Kosovës, pasi sipas tij kjo e fundit në momentin që e ka marrë mandatin është përgjegjëse për problemet në vend.

“Kjo qeveri në mënyrë direkte është përgjegjëse për kolapsin energjetik. Kjo, sepse ka bë presion për ta eliminuar projektin “Kosova e Re”, ka refuzuar projektin e gazit amerikan, po e bllokon zhvillimin e energjisë së ripërtërishme derisa në anën tjetër nuk e ka përcjell krizën energjetike që e ka kapluar Evropën. Ka mungesë totale të kompetencës në Qeveri, mungesë së strategjisë dhe si pasojë kemi ardhur në këtë kolaps të tmerrshëm prej të cilit krejt jeta në Kosovë është “paralizu”,tha profesori Krasniqi.

Ndërkohë lidhur me mjetet që ka ndarë Qeveria e Kosovës, pra 20 milionë euro për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) sipas Krasniqit janë masa jo të planifikuara mirë.

“Krejt këto masa që po i marrin janë në panikë, janë masa që nuk janë të planifikuara mirë. Edhe masa të tilla të subvencionimeve për KOSTT-in, janë vetëm veprime në panikë. Këto nuk e zgjedhin problemin. Problemi zgjidhet nëse fillon të kthehet ideja për projektin “Kosova e Re”, nëse bëhet sa më shpejtë instalimi i transmetuesve të gazit edhe sa më shpejtë të gjinden mundësi që të importohet energjia dhe jo të subvencionohet KOSTT-i”,tha Krasniqi për inlajmi.

Në Qeverinë Kurti, tha tutje Krasniqi ka mungesë totale të kompetencës, mungesë të strategjisë dhe si pasojë vendi ka ardhur në këtë kolaps të tmerrshëm, prej të cilit kolaps është “paralizuar” krejt jeta në Kosovë.

Ndërsa alternativat e propozuara nga Qeveria, për kursimin e energjisë elektrike, sipas Krasniqit janë budallallëqe.

“Alternativat apo propozimet për kursimin e energjisë elektrike janë idiotike. Budallallëk, njësoj sikur shitësit e marketeve ‘t’i thonë konsumatorëve mos blini mallra në market’. Energjia është një mall që duhet të konsumohet sa më shumë, të shitet, të ketë sa më shumë prodhim. Kjo është budallallëk”,tha tutje Krasniqi.

Ai ritheksoi se derisa qytetarët e Kosovës, i paguajnë shërbimet e tyre për energji, duhet të bëhet sa më shpejt një zgjidhje dhe të kenë rrymë. Ndërkohë ritheksoi faktin se në Kosovë, serbët nuk paguajnë rrymën por ata nuk kanë reduktime.

Lidhur me këtë ka reaguar sot përmes një njoftimi për medie KMDLNJ-ja ku ka reaguar për diskriminimin që po bëhet, për faktin se serbët në veri të Kosovës po kanë rrymë derisa pjesa tjetër e Kosovës është duke u ballafaquar me reduktime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme