Krimet e dhunës seksuale në Kosovë mbesin jashtë raportit të OKB-së

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), pas shqyrtimit me kujdes të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi ‘Dhunën Seksuale në Konflikte’ (S/2019/280), ka shprehur shqetësimin saj të thellë për lënien e Kosovës jashtë këtij raporti.

Sipas një njoftimi për media, QKRMT pati reaguar edhe vitin e kaluar, më 12 prill 2018, pas publikimit të Raportit S/2018/250 të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Krimet e Dhunës Seksuale në Konflikte.

“QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës për të lehtësuar traumën e tyre dhe për të avokuar për të drejtat e tyre, shprehë shqetësimin e saj më të thellë për lënien jashtë raportit të situatës së Kosovës sa i përket krimeve të dhunës seksuale”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, QKRMT thekson se duke marrë parasysh progresin e kohëve te fundit të institucioneve shtetërore të Kosovës në verifikimin dhe dokumentimin e të mbijetuarve të dhunimit, QKRMT beson fuqishëm se përfaqësimi i të dhënave në këtë raport sa i përket krimeve të dhunës seksuale në Kosovë, do të kontribuonte në një kuptim më të gjerë të situatës së të mbijetuarve në rajon.

“Një ndikim të veçantë do të kishte në luftimin e paragjykimeve dhe stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore. QKRMT ka qenë e ftuar nga Përfaqësuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Dhunën Seksuale në Konflikte bashkë me Fondacionin Denis Mukwege dhe Iniciativën e Nadias në takimin konsultativ organizuar nga Programi për të Drejtat e Njeriut në Roosevelt House, Hunter College (Neë York, janar 2019). Në këtë takim Znj. Feride Rushiti (Drejtoreshë Ekzekutive e QKRMT) është ftuar që të ofrojë ekspertizën dhe përvojën e saj 20 vjeçare mbi reparacionet në raport me viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës për media, QKRMT në janar të vitit 2019, me kërkesë të Raportuesit Special për promovimin e të vërtetës, drejtësisë, reparacionit dhe garancitë e mos përsëritjes, ka dhënë kontributet e saja në pyetësorin mbi programet nacionale të reparacionit, ku një vend të jashtëzakonshëm e zë skema pensionale dhe beneficionet tjera te garantuara me ligj për viktimat e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

Letra e plotë:

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm Mr. Guterres,

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka lexuar me kujdes Rraportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi Dhunës Seksuale në Konflikte (S/2019/280). Krimet e dhunës seksuale në Kosovë nuk janë përmendur gjatë elaborimit të situatës në vende të tjera të cilat e kanë kaluar konfliktin. QKRMT, ka reaguar edhe vitin e kaluar (S/2018/250), për të njejten situatë, por asnjëherë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, dhe situata e njëjtë po përsëritet.

QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës për të lehtësuar traumën e tyre dhe për të avokuar për të drejtat e tyre, shprehë shqetësimin e saj më të thellë për lënien jashtë raportit të situatës së Kosovës sa i përket krimeve të dhunës seksuale.

Duke marrë parasysh progresin e kohëve te fundit të institucioneve shtetërore të Kosovës në verifikimin dhe dokumentimin e të mbijetuarve të dhunimit, QKRMT beson fuqishëm se përfaqësimi i të dhënave në këtë raport sa i përket krimeve të dhunës seksuale në Kosovë do të kontribuonte në një kuptim më të gjerë të situatës së të mbijetuarve në rajon. Një ndikim të vecantë do të kishte në luftimin e paragjykimeve dhe stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore.

Për më tepër, QKRMT ka qenë e ftuar nga Përfaqësuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Dhunën Seksuale në Konflikte bashkë me Fondacionin Denis Mukwege dhe Iniciativën e Nadias në takimin konsultativ organizuar nga Programi për të Drejtat e Njeriut në Roosevelt House, Hunter College (New York, janar 2019). Në këtë takim Znj. Feride Rushiti (Drejtoreshë Ekzekutive e QKRMT) është ftuar që të ofrojë ekspertizën dhe përvojën e saj 20 vjeçare mbi reparacionet në raport me viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Gjithashtu, QKRMT në janar të vitit 2019, me kërkesë të Raportuesit Special për promovimin e të vërtetës, drejtësisë, reparacionit dhe garancitë e mos përsëritjes (i cili operon në bazë të rezolutës 36/7 të Këshillit për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara), ka dhënë kontributet e saja në pyetsorin mbi programet nacionale te reparacionit, ku një vend të jashtëzakonshëm e zë skema pensionale dhe beneficionet tjera te garantuara me ligj për viktimat e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

Përpjekjet e Kosovës duhet të shërbejnë si një shembull për vendet që janë duke luftuar për t’ia zgjatur dorën viktimave dhe për ta mundësuar përfshirjen dhe respektin e tyre. Në muajin shkurt 2018, në Kosovë për herë të parë ka filluar aplikimi për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale nga koha e luftës. Skema e pensioneve personale për këto viktima, po shërben si model në regjion dhe në mbarë botën.

Prandaj, QKRMT kërkon që në raportet ie ardhshme të OKB-së të përfshihen përpjekjet e Kosovës – duke përfshirë sfidat dhe arritjet, si dhe rekomandimet për veprime të mëtutjeshme. Ne besojmë se zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës, është vendimtar për sigurinë dhe paqen, në Kosovë dhe në gjithë botën. Duke qenë kështu, përpjekjet e Kosovës në një temë të tillë duhet të reflektohen në raportin e OKB-së.

Mbetemi me shpresë që do t’i pranojmë e komentet tuaja dhe se shqetësimet tona do të merren në konsideratë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme