Kritika kryetarit të Akademisë Serbe për shkak të Kosovës

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Bordi Ekzekutiv i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (ASSHA) reagoi publikisht më 9 mars ndaj kritikave që po i bëhen kryetarit të këtij institucioni, Vladimir Kostiq, anëtarëve të caktuar, organeve të tij drejtuese dhe vetë Akademisë.

Në reagim thuhet se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për mendim personal dhe shprehje të lirë”.

Njoftimi i Akademisë vjen pas kritikave disajavore ndaj Vladimir Kostiqit, që iu bënë si nga akademikët, ashtu edhe nga publiku i gjerë, pasi ai, edhe një herë, vuri publikisht në pikëpyetje idenë që Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë.

Çfarë tha Kostiq?

Më 7 janar të këtij viti, në një intervistë për emisionin “Newsmax Adria” në TV N1 në Serbi, Kostiq deklaroi se askush në Serbi, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, nuk e ka të drejtën sublime të dëshmive për të vërtetën rreth Kosovës.

“A janë disa nga prelatët e mëdhenj serbë tradhtarë, pasi ata e zhvendosën popullin serb jashtë dhe e çuan në një perandori tjetër me idenë e zgjerimit, të hapjes së horizonteve të së ardhmes? A ishte Çarnojeviq (Arsenije, patriarku dhe udhëheqësi i migrimit të madh të serbëve në shekullin e 17-të) një tradhtar? Unë nuk mendoj kështu”, tha Kostiq.

Qëndrimi i kryetarit të Akamdemisë Serbe për Kosovën nuk është i ri. Në tetor të vitit 2015, Kostiq ka thënë se Serbia faktikisht dhe zyrtarisht e ka humbur Kosovën dhe se e vetmja mençuri politike ishte që të largohej nga Kosova “me elemente dinjiteti”, sepse “nuk është as de facto dhe as de jure në duart e Serbisë”.

Presidenti i atëhershëm serb, Tomisllav Nikolliq, pati kërkuar sqarime nga ASSHA për këtë qëndrim të Kostiqit, duke pyetur nëse ai mund të mbetet kryetar i Akademisë pas një deklarate të tillë.

Sërgjan Atanasovski, një bashkëpunëtor kërkimor në Institutin Muzikologjik të ASSHA-s dhe një anëtar i organizatës së majtë Marx 21, i tha Radios Evropa e Lirë se Vladimir Kostiq e ka këtë qëndrim për Kosovën që shumë vite dhe se nuk ka frikë që të flasë publikisht për të.

“Pa hyrë në autonominë e punës së Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, mendoj se pikëpamjet e shprehura nga Vladimir Kostiq për Kosovën janë kryesisht pikëpamjet e tij personale politike. Prandaj, më duket se një presion i tillë është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Akademisë, ku përcaktohet qartë e drejta për të pasur pikëpamjet e veta politike dhe për t’i shprehur ato”, tha Atanasovski.

Protesta dhe letra nga akademikët

Intervista e fundit, si dhe fjalimet e mëparshme të Vlladimir Kostiqit për të njëjtën temë, nxitën reagime të ashpra. I fundit në këtë kontekst ishte të martën më 9 mars, kur familjet e serbëve të zhdukur nga Kosova u mblodhën para ndërtesës së Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në rrugën “Knez Mihajllova” në Beograd dhe, më pas, u pritën nga Kostiq.

Pas takimit, ai tha se protestuesit i dhanë atij një ultimatum, për shkak të deklaratave rreth pavarësisë së Kosovës.

“Mua më kërkuan: ose të jepja dorëheqje, ose të thosha atë që më diktuan. Dhe ai diktim është: ‘Kosova është zemra e Serbisë’. Në planin shpirtëror, simbolik, unë mund të pajtohem me këtë, por nuk e di se çfarë do të thotë kjo, në këto momente, për njerëzit që jetojnë atje”, tha Kostiq, citon gazeta serbe “Veçernje Novosti”.

Më 16 janar, rreth njëqind qytetarë të krahut të djathtë, të udhëhequr nga Vlladan Gllisiq, një deputet i pavarur dhe ish-anëtar i lëvizjes Dveri, protestuan para Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, për shkak të qëndrimit të njeriut të parë të ASSHA-së.

“Ne jemi mbledhur pasi po përpiqemi t’u themi miqve tanë patriotë, të moshuarve të nderuar nga ASSHA, që të zgjohen, sepse ata kanë rënë në gjumë në ato kolltuqe dhe privilegje të rehatshme. Le ta kuptojnë se ata duhet ta mbrojnë Akademinë, sepse një njeri po e shkatërron reputacionin e saj”, tha Gllisiq në atë protestë.

Duket se kërkesa e atyre që u mblodhën në janar, u pranua nga një grup akademikësh. Mes tyre, shkrimtarët Millovan Danojlliq dhe Matija Beçkoviq, të cilët më pas ftuan anëtarët e tjerë të ASSHA-s, që t’i shprehin publikisht qëndrimet e tyre në lidhje me deklaratën e kryetarit të këtij institucioni.

“(…) Ky mendim u kundërshtua dhe u miratua publikisht, pasi ai provokoi polemikë dhe nënshkrimin e peticioneve. Ishte edhe aryse për demonstrata kundër Akademisë, e para në historinë 150-vjeçare të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Dhe më e rëndësishmja, ky qëndrim krijoi dyshime në lidhje me pozicionin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve mbi Kosovën dhe Metohinë”, tha Beçkoviq në një videomesazh më 24 shkurt.

Qëndrimi i Beçkoviqit për Kosovën është i njohur për publikun pasi ai në vazhdimësi e ka mohuar dhe kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Atij i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi, në kohën kur mbaheshin protesta kundër Ligjit për Fetë në këtë shtet.

Akademiku Predrag Piper, nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë i ASSHA-s, shkoi një hap më tej. Më 27 janar, në një letër të publikuar në media, ai, ndër të tjera, shkroi se të gjithë kanë të drejtë të thonë atë që mendojnë, porse disa tema ende nuk janë për diskutim.

“Shumë çështje mund të diskutohen me argumente (p.sh. çështjet shkencore ose çështjet si Beogradi në ujë, gondola në Kalemegdan, etj.), Por, çështje të tilla si respektimi i integritetit të vendit, respektimi i Kushtetutës, respektimi i identitetit kombëtar, kanë një status pakrahasueshëm më të lartë. Ka vlera, kontestimi i të cilave është i papranueshëm”, tha Piper.

Reagimeve të grupit të akademikëve iu bashkua regjisori Emir Kustirica, i cili, sipas pohimeve të tij, ka refuzuar propozimin e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë të ASSHA-ss, për ta kandiduar për kryetar në këtë institucion.

Një nga arsyet e këtij refuzimi, Kusturica e shprehu në një letër të hapur të datës 28 shkurt, duke thënë se se ai nuk beson në “qëllimet e mira” të kryetarit të ASSHA-s.

Valë e re e forcimit të së djathtës në Serbi

Sërgjan Atanasovski tha se thirrja e akademikëve për deklarata individuale të të gjithë anëtarëve të ASSHA-s për Kosovën ngre çështjen e shkeljes së të drejtave themelore civile.

“Nëse hyjmë në këtë territor, duke bërë thirrje që brenda stafeve të punës, profesionale dhe shkencore, mund të bëhen deklarata të tilla për pikëpamje të caktuara politike të shprehura nga njerëzit në publik, atëherë ne hyjmë në një territor shumë të rrezikshëm që shkon përtej lirisë së mendimit politik, të garantuar me Kushtetutë”, tha Atanasovski.

Ai shtoi se në kundërshtim të qëndrimeve të vjetra të Vlladimir Kostiqit, një valë e re e së djathtës është në rritje në Serbi. Ata përdorin çdo mundësi për të shprehur pikëpamjet e tyre në publik.

Ai rikujtoi protestat e mbajtura në korrik të vitit të kaluar në Beograd, pas njoftimit të autoriteteve se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore për shkak të pandemisë së COVID-19. Ai tha se grupet e krahut të djathtë më pas arritën ta zhvendosin vëmendjen në çështjen e Kosovës.

“Pra, kishim një situatë ku Kosova ishte imponuar si temë e të gjitha temave në protestat e vitit të kaluar, ku njerëzit dilnin për një arsye krejt tjetër. Kishim një situatë krejtësisht absurde dhe atëherë u bë shumë e qartë se sa e lehtë është të imponosh temën”, thotë Atanasovski.

“Kjo është ajo që e djathta po e bën me shumë sukses: pra të përpiqet të artikulojë pakënaqësi, duke imponuar tema të rreme dhe natyrisht duke ikur nga temat reale”, shtoi ai.

I pyetur nëse ai beson se sulmet ndaj Vlladimir Kostiqit mund të kenë synim që ta mbajnë zgjuar ndjenjën shpirtërore të serbëve për Kosovën, ai tha se kjo në thelb nuk është demokratike.

“Unë mendoj se ky është një manipulim i thjeshtë i ndjenjave të caktuara dhe nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve të Serbisë,” tha Atanasovski.

Përgjigjja e ASSHA-s

Bordi Ekzekutiv i ASSHA-s njoftoi të martën se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për një mendim personal dhe shprehjen e tij, por shtoi se është “e papërshtatshme dhe e papranueshme t’i thërrasësh anëtarët e ASSHA-s të deklarohen individualisht në parimin e “po ose jo”.

“Anëtarët e ASSHA-s, për shumë vite, ishin plotësisht të lirë të shpreheshin në lidhje me problemin e Kosovës dhe Metohisë, në mënyra të ndryshme (shumë e shfrytëzuan këtë mundësi dhe e përdorin atë). Askush, nuk iu kërkoi atyre që të shpjegojnë shkurtimisht pikëpamjet e tyre të prezantuara më parë, sipas diktatit të tyre”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Në këtë deklaratë gjithashtu u vlerësua se “është krijuar një atmosferë e papranueshme, pasi që problemi i Kosovës dhe Metohisë në publik po shihet si pjesë që duhet zgjidhur nga ASSHA-ja, e cila duket se po bëhet një lloj paradigme për zgjidhjen e gjithë këtij problemi”.

“Kjo thjesht nuk është e vërtetë: ky është një problem që as nuk u krijua me pjesëmarrjen e ASSHA-s, e ajo as nuk u ftua ndonjëherë zyrtarisht të merrte pjesë në zgjidhjen e tij”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

‘Memorandumi’ dhe roli i ASSHA-s në shpërbërjen e Jugosllavisë

Megjithëse Bordi Ekzekutiv i ASSHA-s u distancua nga roli i tij në gjenerimin e problemit të Kosovës, duhet rikujtuar se në gjysmën e dytë të viteve ‘80, ky institucion luajti një rol në ngritjen e pasioneve nacionaliste në ish-Jugosllavi.

Kulmi i atij veprimi është “Memorandumi i ASSHA-s”, i cili supozohej se ofronte zgjidhje për tejkalimin e krizës ekonomike dhe shoqërore, në të cilën ra Jugosllavia e atëhershme socialiste.

Sidoqoftë, ky dokument konsiderohet nga disa historianë si një katalizator kryesor për nxitjen e urrejtjes dhe përgatitjen ideologjike për luftërat e zhvilluara në dekadën e fundit të shekullit 20.

Autorët e këtij dokumenti të gjatë, pjesë të të cilit u botuan më 1986, deklaruan, ndër të tjera, se serbët ishin të shtypur dhe të kërcënuar në Kroaci dhe se “gjenocid fizik, politik, ligjor dhe kulturor” po kryhej kundër serbëve në Kosovë.

Disa vite pas botimit të “Memorandumit”, njësitë paraushtarake nga Serbia marshuan drejt zonave të luftës në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë, me pretekstin e mbrojtjes së popullatës serbe atje nga masakrat e reja dhe gjenocidi.

Duke folur për “Memorandumin”, kryetari i ASSHA-s tha për revistën “Nedeljnik” në vitin 2016 se “Memorandumi është një hipotekë me të vërtetë e rrezikshme dhe e vështirë që i ishte ipmonuar ASSHA-s”, duke shtuar se ishte një “konstrukt faji pa lënë mundësi për rishqyrtim” .

Të ngjashme