Kriza me ujë të pijshëm, borxhet e konsumatorëve arrijnë në 47 milionë euro

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e reshjeve atmosferike, për disa rajone të Kosovës si Prishtina me rrethinë dhe Gjilani, nga organet kompetente, po paralajmërohet se do të sjellë si pasojë mungesën e ujit të pijshëm.

Krahas shterjes së burimeve të ujit të pijshëm, një problem tjetër që e bën gjendjen edhe më të rëndë, konsiderohet të jetë mospagesa e borxheve nga qytetarët për ujin që konsumojnë.

Vetëm qytetarët e Prishtinës me vendbanimet përreth, i kanë borxh Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, rreth 47 milionë euro.

Borxhi i grumbulluar, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ilir Abdullahu, ka bërë që të mendojnë për ç’kyçje të konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndonëse ende nuk ka një vendim të prerë.

Ndonëse rezervat e ujit, sipas ujësjellësit po zvogëlohen, aktualisht qytetarët e Prishtinës me rrethinë furnizohen me ujë të pijes 24 orë në ditë.

Labinot Rexha, një qytetar i Prishtinës, i cili jeton në një banesë kolektive me katër anëtarë të tjerë të familjes, tha se nuk është pagues i rregullt i ujit. Ai tregon arsyet pse nuk e paguan ujin të cilin e shpenzon.

“Të gjithë e dimë që pa ujë s’ka jetë, por unë nuk e paguaj për arsye se asnjëherë, pra asnjë muaj, nuk më vjen çmimi i njëjtë. Kam qenë në kompaninë e Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe më kanë thënë se duhet ta montojë një orë vetëm për vete, në mënyrë që të dihet saktë se sa shpenzoj. Atë [orën e ujit] duhet ta paguaj unë vet, kushton diku rreth 50 euro dhe nuk po kam mundësi, pasi jetojmë vetëm me një pagë, e jemi pesë anëtarë të familjes. Pra, unë nuk mund ta paguaj ujin, aq sa nuk shpenzoj. Ka raste kur për një muaj më vjen fatura deri në 30 euro. Kjo është e papërballueshme, por është edhe paushall, pra nuk është matje reale sepse unë nuk jam kompani apo autolarje të shpenzoj aq shumë ujë”, tha Rexha.

Në anën tjetër, KRU “Prishtina”, konfirmon se po përballet me vështirësi, pasi niveli i ujit në liqenet akumuluese, atij të Batllavës dhe Badovcit prej nga furnizohen më shumë se 140 mijë qytetarë me ujë të pijes, ka rënë minus dhjetë metra, si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike.

Abdullahu thotë për Radion Evropa e Lirë se kur reshjet mungojnë, niveli i ujit bie pasi që liqenet e Batllavës dhe Badovcit janë rezervuarë apo liqene artificiale, që janë të ndërtuar në pellgje dhe varen nga akumulimi i reshjeve të shiut dhe borës.

“Aktualisht jemi minus 10.5 metra me mungesë uji në liqenin e Batllavës dhe 10.3 metra minus në liqenin e Badovcit. Kjo i bie që 70 për qind të rezervave, kanë ikur, në akumulim total. Kjo ka ardhur në këtë kohë kur po ballafaqohemi me mungesë të reshjeve atmosferike”, tha Abdullahu.

Letafete Latifi, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tha se ndonëse parashihet që gjatë kësaj jave të ketë reshje shiu, kjo do të ndikojë shumë pak në përmirësimin e gjendjes aktuale sa i përket kompensimit të ujit tashmë të humbur në liqenet artificiale.

“Nga dita e enjte do të kemi ndryshime të motit dhe kushte meteorologjike për reshje shiu në zonat urbane, derisa në zonat malore do të ketë reshje bore. Deficiti i krijuar i ujërave në liqene akumuluese, nuk pritet që me këto reshje të krijojnë në gjendje më të mirë, pasi ka me qenë minor. Kjo pasi jemi në një situatë me deficit shumë të madh të ujërave. Situata nuk do të përmirësohet, pasi reshjet do duhej të jenë për kohë më të gjatë, në mënyrë që të përmirësohet”, tha Latifi.

Ajo shton se vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë, vendi ka qenë në të njëjtën pozitë, kur liqenet kishin rënë nën nivel nga mungesa e reshjeve. Mirëpo, gjendja kishte ndryshuar në muajt në vijim.

“Vitin e kaluar nga 19 prilli deri më 9 maj, është arritur kuota maksimale e akumulacionit nëpër liqene, pasi që ka pasur reshje të vazhdueshme. Për shkak të reshjeve në këta muaj ka pasur kuotë maksimale të mbushjes së liqeneve”, tha Latifi.

Edhe në Shoqatën e ujësjellësve të Kosovës, pohojnë se mungesa e reshjeve atmosferike, ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit në nivel vendi, por gjendje më e rëndë gjatë janarit ishte paraqitur në Komunën e Gjilanit.

Komuna e Gjilanit që nga mesi i vitit të kaluar është ballafaquar me mungesë të madhe të rezervave të ujit.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave. Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë. 


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme