KRU “Prishtina” bën apel te komuna dhe MMPH-ja ta mbrojnë Badocin

Prishtinë | 16 Jan 2020 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Drejtorëve të Ujësjellësit të Prishtinës, bashkë me kryeshefin ekzekutiv Ilir Abdullahu dhe sekretarin e kompanisë Salih Gjonbalaj ishin sot për vizitë te liqeni i Badocit.

Në të njëjtën kohë, ata apeluan edhe te institucionet, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë që të kenë kujdes në mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij resursi ujorë jetik, për qytetarët.

Sipas njoftimit nga KRU “Prishtina” Liqeni i Badocit është një liqe akumulues sipërfaqësorë nga i cili, furnizohen me ujë të pijshëm 30% e konsumatorëve në zonën operative, Graçanica, Çagllavica, Hajvalia, Veterniku, Miradia e Epërme, një pjesë e Prishtinës si: Mati 1, Bregu i Diellit, Kolovica, Sofalia, Toukbashqe dhe Zllatari.

“Vizita e tyre sot, kishte të bënte me njohjen më për së afërmi të rënies së nivelit të ujit në këtë liqe, prej mbi 10 metra nga kuota maksimale dhe mundësitë më të mira për menaxhimin e situatës nëse situata aktuale përcillet edhe më tej me thatësira mbi vendin tonë”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve Betim Berisha, duke ritheksuar rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme të liqenit të Badocit, për një pjesë të konsiderueshme të konsumatorëve në zonën shërbyese operative tha se uji është burim natyrorë shumë i nevojshëm për ekonomi dhe mirëqenien sociale.

Sipas tij, të gjithë janë përdorues të ujit të pijshëm andaj, në të njëjtën kohë duhet përgjegjësi për ruajtjen dhe mbrojtjen e burimeve ujore dhe se këto akumulacione varen direkt nga reshjet atmosferike.

Të ngjashme