KRU “Prishtina” thotë se Sokol Xhafa nuk është anëtar i VV-së

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 22:06 | Nga Ekonomia Online

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka reaguar ndaj shkrimeve në disa medie se “drejtori i ri i ndërmarrjes së ujësjellësit është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje”.

Sipas një njoftimi për shtyp, ushtruesi i detyrës së kryeshefit Ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, deri më sot ka qenë drejtor teknik i kompanisë, dhe nuk është anëtar i asnjë partie politike.

“Sokol Xhafa është me profesion hidroinxhiner që përket me veprimtarinë e ushtruar në këtë kompani, ndër vite”, thuhet në komunikatë.

Mediet që kanë raportuar se Xhafa është anëtar i VV-së e kanë shoqëruar lajmin me një fotografi ku në prapavijë të Xhafës shihet logoja e Vetëvendosjes.

Por Zyra e Informimit e KUR “Prishtina” thotë se fotografia është bërë në një tryezë (duket e organizuar nga VV), ku Xhafa ka qenë i ftuar si drejtor teknik i kompanisë, e aty prezentë ishin përfaqësues të Autoritetit Rregullativ për Ujëra, nga NP “Ibër-Lepenci”, profesorë të fakulteteve dhe aktorë të tjerë dhe nuk ka të bëjë asgjë me asnjë parti politike.

KUR “Prishtina” ka kërkuar nga mediet që të jenë korrektë dhe se shpifjet janë të papranueshme për ne.

Të ngjashme