Kryekuvendrari Konjufca priti në takim deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”

Prishtinë | 08 Kor 2021 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me nënkryetaren, Saranda Bogujevci, kanë pritur sot në takim deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, Shaip Kamberi, Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami, Selma Kuçeviq, si dhe kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut (SDA), Sulejman Ugljanin.

Me këtë rast, Sylejman Ugljanin, në cilësinë e kryetarit të SDA, e ka falënderuar kryekuvendarin Konjufca dhe ka shprehur mirënjohje në emër të boshnjakëve për miratimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

Ndërsa, deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njoftuan të parin e Kuvendit për situatën politike në Serbi, të drejtat e mohuara dhe diskriminimin e pakicave, në veçanti të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga ana e aparatit shtetëror serb, si dhe kërkuan reciprocitet të të drejtave të pakicave në Kosovë dhe në Serbi.

Kryekuvendari Konjufca vuri në pah rëndësinë e bashkërendimit të veprimeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit me të zgjedhurit e popullit dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe Sanxhakut.

Të ngjashme