Kryeministri Haradinaj ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

Prishtinë | 27 Dhj 2018 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, të kryesuar nga Fadil Berjani, kryetar i shoqatës.

Kryeministri Haradinaj, ka shprehur interesimin institucional për çmimin e derivateve në tregun e naftës, duke u bërë thirrje naftëtarëve të kenë kujdes karshi qytetarëve.

“Duke respektuar gjithmonë ekonominë e lirë të tregut, sot ju bëjë thirrje që të tregoni kujdes karshi çmimit në treg, duke respektuar edhe qytetarët”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të krijojë një infrastrukturë të mirë ligjore dhe administrative, të cilat më pastaj do të ndikojnë edhe në uljen e çmimeve në tregun e naftës dhe derivateve të saj.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, e njoftuan Kryeministrin Haradinaj për sfidat që ka kjo shoqatë, por edhe për çmimin e derivateve, duke numëruar edhe pengesat administrative dhe ligjore me të cilat përballet ky treg, siç janë mungesa e ligjit për naftën, mungesa e depove doganore dhe taksa për kyçje në rrugë, pengesa këto që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e tregut.

Në këtë takim, po ashtu u bisedua edhe për masat e marra për taksën 100 për qind, e cila ka gjetur mbështetjen e fuqishme të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme