Kryeministri Kurti në 40- vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës: Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e tyre

Prishtinë | 17 Jan 2022 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Në 40- vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi Akademi Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Si legalë ashtu edhe ilegalë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare e shoqërore për bashkim organizatash, për çlirim vendi, për liri populli, për drejtësi e mirëqenie e përparim të të gjithëve, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Kudo dhe çdoherë kritikuan e kundërshtuan diskriminimin e shfrytëzimin, mobilizuan qytetarët dhe bashkatdhetarët, për përpjekje të përbashkëta për punë e angazhim e organizim për liri, shtoi ai.

Duke folur për veprimtarinë e tyre, kryeministri theksoi se Jusufi, Kadriu e Bardhoshi i aktivizonin dhe i bashkonin punëtorët, studentët, artistët, burrat e gratë, të rinjtë e të moshuarit, sepse ata besonin në popull, besonin në popullin e tyre nga i cili vinin për të mos u shkëputur kurrë prej tij.

“Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e tyre. E përditshmja e përjetshme që e thur historinë”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë akademi, të organizuar në Sallën e kuqe, të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, foli edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu si dhe familjarët e tre veprimtarëve.

Ndërsa kantautori Shpat Deda, dhe kuarteti i harqeve të udhëhequr dhe aranzhuar nga Visar Kuçi, interpretuan këngët e Jusuf Gërvallës: “Kënga e Bilbilit” dhe “Do të kthehem nënë”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

Të nderuara familje Gërvalla dhe Zeka,

E dashura Donikë,

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar dhe deputetë të Kuvendit,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Si legalë ashtu edhe ilegalë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare e shoqërore për bashkim organizatash, për çlirim vendi, për liri populli, për drejtësi e mirëqenie e përparim të të gjithëve. Kudo dhe çdoherë kritikuan e kundërshtuan diskriminimin e shfrytëzimin, mobilizuan qytetarët dhe bashkatdhetarët, për përpjekje të përbashkëta për punë e angazhim e organizim për liri.

Ata i aktivizonin dhe i bashkonin punëtorët, studentët, artistët, burrat e gratë, të rinjtë e të moshuarit, sepse ata besonin në popull, besonin në popullin e tyre nga i cili vinin për të mos u shkëputur kurrë prej tij.

Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e tyre. E përditshmja e përjetshme që e thur historinë.

Aftësia e njerëzve që e përbëjnë historinë qëndron në faktin se ata e qartësojnë para nesh nivelin moral të epokës kur jetuan, të sundimit dhe të dhunës, të pushtimit dhe të lirisë, të korrupsionit të strukturave por edhe të mundësive të krijimit dhe të rezistencës.

Ky vit shënon 40 vjetorin e atentatit të organizuar nga shërbimi sekret jugosllav – UDB afër Shtutgartit në Gjermani, në të cilin u vranë udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, heronjtë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Zbatuesit e atentatit – vrasësit vazhdojnë të mbeten të pazbuluar edhe sot, megjithëse organizatori është bërë i njohur që nga fillimi – UDB-ja gjakatare. Kur përkujtojmë pra këta tre dëshmorë, ne bëhemi të ndërgjegjshëm që strukturat vrastare e të pandëshkuara nuk kanë asnjë arsye të pushojnë së funksionuari. Po ashtu mendësitë e dhunës dhe vrasjes nuk kanë pse të pushojnë së vepruari.

Vrasja e tre heronjve të popullit Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, ishte vrasja shumë e rëndë e ndodhur në truallin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, atentat politik i organizuar nga shteti jugosllav jashtë territorit të tij, mu në gji të ndërgjegjes evropiane. Këta tre heronjtë përbënin shtyllën kurrizore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të organizuar jashtë Republikës së Shqipërisë. Shfaqej haptas para kësaj ndërgjegje se shteti jugosllav udhëhiqej kryesisht nga UDB-ja serbe.

UDB-ja, thelbi i Jugosllavisë, kishte kuptuar që shqiptarët po mendonin si shtet: demonstratat e studentëve në vitin 1981 të shndërruara në kryengritje gjithëpopullore në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë në ish Jugosllavi do të krijonin një potencial të ri të lirisë.

Bashkimi i të gjitha grupeve ilegale politike me karakter kombëtar, në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi, në një Lëvizje të vetme kombëtare me potencial të jashtëzakonshëm politik, profesional e ekonomik, të panjohur deri më atëherë, vinte prej një fryme të re të Lëvizjes Kombëtare. Bashkimi i inteligjencës dhe rezistencës, ky është burimi i frikës së regjimit.

Shtrirja e organizimit të demonstratave me mërgimtarët në botën e jashtme demokratike, kryesisht në botën perëndimore, njoftimi i saj me shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavinë kinse “liberale” rrëzonte përrallën e demokracisë vetëqeverisëse dhe të bashkim-vëllazërimit midis popujve. Në këtë rast, mërgata shqiptare, burim i sigurtë i deriatëhershëm devizash për ekonominë jugosllave, po shndërrohej në një forcë të rrezikshme antijugosllave. Me potencialin politik, ekonomik e intelektual ajo do të garantonte edhe organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

Kjo është linja që na bashkon mendimin kur mblidhemi të përkujtojmë këta heronj. Ata duhet të eliminoheshin prej UDB-së, qoftë edhe në zemër të Evropës, sepse ata nuk po thërrisnin thjeshtë për Republikë, por po shtjellonin linjat e mundësimit të saj. Ata po vepronin në perspektivën e organizimit total të shtetndërtimit të shqiptarëve: shtetndërtimi është aftësia e shtjellimit të të gjitha përmasave të lirisë.

Se UDB-ja jugosllave e kishte identifikuar këtë bashkim të potencialit patriotik shqiptar në një Lëvizje Kombëtare Shqiptare si rrezikun më të madh për të pas Luftës së Dytë Botërore, përveç burgosjes masive të mijëra grave dhe burrave, vajzave dhe djemve patriotë, e dëshmojnë edhe vrasjet e shumta të patriotëve shqiptarë, pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të cilët kishin përqafuar këtë frymë të bashkimit dhe ishin nismëtarë të një organizimi politiko-ushtarak, si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu e të tjera.

Vrasja e heronjve Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit ishte grushti më i rëndë kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që në bërthamën e krijimit, që në nismën e bashkimit. Mirëpo fryma e mbjellur e bashkimit politik e patriotik që e kishin farkuar Jusufi, Kadriu e Bardhoshi që më 1982, ka përcjellur të gjitha organizimet kryesore politike e ushtarake të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, deri në Luftën e fundit Çlirimtare të Kosovës të udhëhequr nga UÇK-ja.

Më lejoni të nderuar pjesëmarrës t’ju shpreh edhe një ndjesi tjetër. Besoj se ne këtu e ndajmë të gjithë idenë se shtetndërtimi është çlirimi i plotë. Pra, është fjala për idenë e shtetndërtimit, ose më mirë për virtytin e shtetndërtimit që lind në çdonjërin prej nesh. Virtyti i shtetndërtimit është ajo marrëdhënie që duhet punuar mes vektorit shoqëror e civil dhe atij kombëtar e politik. Në një përkujtim heroi, ne nuk nderojmë momentin e vdekjes si çlirimtar, por atë të jetës si shtetndërtues çlirimtar.

Në çdo hap të historisë sonë na është dashur të bëjmë tri punë njëherësh. Të çlirohemi me çmimin e sakrificës, të ndërtojmë me çmimin e sakrificës, të krijojmë, po përsëri, me çmimin e sakrificës.

Andaj, edhe kur mblidhemi në përkujtimin e një personaliteti, na duhet veç të tjerash të kuptojmë se si janë ndërthurur çlirimi, ndërtimi dhe krijimi në jetën e personalitetit që përkujtojmë. E kësaj here jemi mbledhur të përkujtojmë dikë që na i ka lënë tërë gjurmët. Dhe jo vetëm për vete. Kur përkujtojmë heronjtë, jemi të detyruar të krahasojmë kohët tona me kohët e pushtimit. Këtu jemi për të përkujtuar Jusuf Gërvallën, shokun e tij Kadri Zeka, vëllanë e tij Bardhosh Gërvalla. Fisi dhe shoqëria politike janë në këtë treshe heronjsh. Por thellësisht janë të ngërthyer te Jusufi civilja dhe politikja.

Ja momenti i parë i Jusufit. Ka organizuar më shumë se 150 intervista mbi emra, ngjarje dhe tema… mbi çfarë? Mbi artin. Nuk besoj se në kushtet e sotme të lirisë ne kemi gazetarë të artit që të kenë realizuar kaq intervista mbi temën e krijimtarisë. Kështu që, me plot gojën mund të them se Jusuf Gërvalla, vetëm për hir të peizazhit që na ofron, është shtetndërtues magjik. Ai nuk militon për lirinë, po për lirinë e kualifikuar.

Gjurmues i madh i temave dhe i ngjarjeve, ai kthehet po aty në kronikan të kohës së bërjeve. Kur nis dhe e lexon publicistikën e tij, e ke mundësinë të kthehesh në të jetuarit e ditëve dhe të fakteve. Të shohësh zanafilla dhe rimarrje, talente në lindje dhe stile në ardhje. Nga ngjarje minimale tek ajo pompoze, nga tema fëminore te ajo e përkufizimit të raportit mes frymëzimit e teknikës në krijimtari; nga tradita te roli i transformimeve teknologjike të komunikimit e të tjera. Ja pra ku përplotësohet rrafshi sociologjik i qytetit. Dhe ne kuptojmë se edhe në kushtet e pushtimit e kemi patur për dekada skenën e madhe të qytetit si skenën e ekzistencës plot cilësi. Falë Jusufit ne zbulojmë se njeriut nuk i humbet kurrë krejtësisht liria. Kjo është perspektiva e dytë e Jusuf Gërvallës si shtetndërtues. Diçka prej rentabilitetit shoqëror të heq pengun e boshit madje edhe në kushtet e pushtimit.

Por, një shtetndërtues e ndjen se nuk mund të jetë vetëm mikrofoni i drejtuar mbi skenën, por edhe folës i saj, qoftë edhe për pak, qoftë edhe rrëmbyeshëm, qoftë edhe larmishëm. Muzikë, prozë, poezi. Jeta duhet mbushur vertikalisht në kronikë, horizontalisht në krijim. Gazetar dhe krijues. Këto dy dimensione të punës, këto dy direktiva të shtetndërtimit, Jusufi i kryen me një lehtësi të shkëlqyer. Heroi ynë na zbulon se ndjesinë e shtetndërtimit e kemi patur që prej zanafillës, por nuk kemi ditur ta vëmë në dukje, ta gjallojmë e ta lartësojmë në realizimet e tona të mëpasme.

Dhe këtë e mbërrin më së miri në poezinë e tij. Duke iu radhitur poetikës së fshatit, ai e përkryen peizazhin e trashëgimisë. Sepse, vetëm në dellin e trashëgimisë, civilja mund të bëhet politike. Këtu është përmasa shtetndërtuese e poetit. Poeti e thotë ashtu kalimthi natyrën e skajshme të së vërtetës. Ai shkruan për gjyshin, për vëllanë, për shokun. Në ato 39 vitet e veta, pa reshtur mes krijimit dhe kronikës, mes letërsisë e muzikës, nuk mund të humbte kohë. E kishte mësuar prej gjyshit ritmin pa kthim të jetës së tij dhe shokëve të tij. Gjyshi, na thotë Jusufi:

“Mes duarsh tek e vë orën ngadalë, e ngre, dhe qetë

A e dinë vallë të gjithë se njeriu ka orën e vet.”

Të nderuar pjesëmarrës në këtë përkujtim,

Vrasja nuk përbën fundin, por hapjen e kuptimit. Kur e lexon Jusufin, në intervistë, në artikull, publicistikë, në prozë, në poezi, kur e dëgjon në muzikë, kupton diçka. Ritmin e kishte në gjak, tempon e kishte në deje. Kronika ka ritmin periodik, publicistika ka ritmin e problemit, poezia ka ritmin e vargut, muzika është tempo në varg dhe në masë. Dhe këto njeriu duhet t’i përfshijë në ritmin e masës së jetës së vet. Jusufi nuk ndaloi, e ndalën.

Dhe kur një individ mbart në vete një kolektiv çlirimi, ndërtimi dhe krijimi, atëherë vetëm dhuna dhe terrori i pushtimit duhet ta ndalë. Nga ana e vet, shtetndërtimi duhet të kryhet me ritëm brenda pushtimit. Kjo është metafizika dhe etika e Jusuf Gërvallës. Brenda pushtimit duhet të ngjizet ritmi i të gjallës, po e citoj një varg tjetër të tij:

“Kahdo ka tokë nën këmbë, po askund qiell mbi kokë

Rruga prej shtëpisë sime deri te shtrati më qe sa një botë”.

Sikur ta kishim vetëm për pak kthjelltësinë e lirisë nën pushtim do ta përthithnim devizën e poetit: mes gjyshit dhe qytetit evropian, shtrihet e tërë bota. Por këtë rrugë të njohjes, të kualifikimit të veprimtarive, Jusufi e ka bërë brenda kohës dhe me tempon e çdo dite. Cilido që ngrihet me përgjegjësinë eprore të bëjë brenda ditës një botë, nuk është vetëm poet, por shtetndërtues.

Por le ta themi më hapur përmasën shtendërtuese të treshes. Tandemi i shokut dhe tandemi i vëllait. Kjo është treshja më e fortë, nyja të cilën do të vijë e do ta godasë për vdekje pushtuesi. Por kur krijohen tandemet, e zorshme është për pushtuesin të vrasë jehonën. Kur krijohen treshet e miqve të lirisë, e pamundur është të ndalen hovet. “Tre ranë me mijëra u ngritën” ishte titulli i asaj kohe.

Ne e shohim ende atë skenën të shkruar prej penës së Kadaresë nën rrëfimin e Suzanës. Mbi atë bardhësi mes natës, rreth veturës që mbante tre shokët, niste e grumbullohej familja. Besohej dhe betohej filli i një shtetndërtimi. Dhe ja: Donika është këtu, vajza e tij, ministrja juaj, zëvendëskryeministrja ime. Shtendërtimi ka ritmin e vet, ka tempon e vet. E mendoj treshen Jusuf, Kadri e Bardhosh, si treshen dëshmore për lirinë e shtetndërtimit.

Çlirimtarët janë shtetndërtues dhe shtetndërtuesit në çdo epokë janë çlirimtarë. Sepse lufta për liri është mësimi dhe punimi më i shpejtë i shtetndërtimit. Në çerek shekulli të luftës së Gjon Kastriot Skënderbeut ne kemi shënimet e para të shtetndërtimit. Na duhet t’i popullarizojmë kronikat e mundshme. Sot është 17 janar, na ndajnë më shumë se pesë shekuj prej Skënderbeut. Na ndajnë 4 dekada prej vdekjes së tre shokëve, aq sa jetuan edhe ata. Shtetndërtuesit janë gjithnjë aty. Një citat tjetër:

Me kokën time e krijoj,

me duart e mia,

dhe eci nëpër planet.

Natën e mirë:

mua më duhet të shkoj aty prej nga mund t’ju gjej.

Jusuf Gërvalla shoku i Kadri Zekës dhe vëllai i Bardhoshit.

Faleminderit!

Të ngjashme