Kryeministri Kurti për Bashkim Jasharin: Ushtrisë i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun

Prishtinë | 30 Nën 2021 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në facebook ka reaguar pas emërimit të gjeneralmajorit Bashkim Jashari si komandant i FSK-së, ku ka thënë se Ushtrisë së Kosovës i duhet një ushtar me zemrën plot dashuri për atdheun siç është Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari.

Tutje Kurti ka shtuar se ushtria e Kosovës është vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si është shtyllë e fortë mbi gurthemelin e Republikës.

“Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit. Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i Komandantit Legjendar, i Kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme.

Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës. Komandantit Jashari i dëshiroj punë të mbarë në detyrën e tij të re. Gjenerallejtnant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroj suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues yni në RACVIAC”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme