Kryeministri Kurti: Qeveria ka prioritet bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Barazi në shoqëri, mbështetje shëndetësisë e thellim bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri
Në mbledhjen e 56-të të Qeverisë e miratuam instrumentin kryesor për zbatimin e prioriteteve të Qeverisë sonë, Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2022-2025. Bashkë me të, miratuam edhe Programin Legjislativ me 130 projektligje.

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, miratuam dy projektligje, për mbrojtjen shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në të dy vendet, lehtësimin e punësimit, si dhe zbatimin e lehtësirave doganore.

Për bashkatdhetarët tanë, miratuam subvencionimin e policës kufitare, në shumë prej tre milionë euro.
Në mbështetje të shëndetësisë, miratuam pagesën shtesë, prej 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor të sektorit publik, për periudhën janar-qershor 2022, në shumë totale deri në 5.6 milionë euro.

Drejt realizimit të vizionit të Qeverisë sonë, për një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, ku asnjë grua nuk jeton me frikën e dhunës dhe çdo vajzë rritet duke e ditur se është e sigurtë, miratuam Strategjinë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave 2022-2026.

Emëruam dhe propozuam numër të barabartë të grave dhe burrave për Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” Sh. A.. Përpjekjet tona për gjithëpërfshirje janë të vazhdueshme.

Për dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë shkatërruar, dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së vitit 1998-99, plotësuam vendimin për Komisionin Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin/inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës.

Me synimin për një fuqi punëtore sa më të kualifikuar, tërheqje të investime të huaja e zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, themeluam Komisionin Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional kundrejt nevojave të tregut të punës të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme