Kryeprokurori i ri – përfshirja e ndërkombëtarëve dëshmon seriozitet, të kthehet besimi në drejtësi

Prishtinë | 30 Jan 2022 | 10:05 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deri më katër shkurt të gjitha ata që pretendojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit mund të aplikojnë për këtë pozitë. Kreut aktual të këtij institucioni Aleksandër Lumezi i skadon mandati në prill, raporton Ekonomia Online.

Përderisa janë përfolur disa emra që duan ta udhëheqin këtë institucion, Blerim Isufaj kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kryeprokurori i Prishtinës Kushtrim Munishi e prokurori Armend Hamiti, raportohet se do të ketë edhe kandidatë të tjerë.

Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Lëvizjen “FOL”, shpreson që Këshilli Prokurorial të reflektojë në këtë proces, sepse Kryeprokurori i ri i Shtetit do të jetë për shtatë vjet në këtë pozitë.

“Ne urojmë që Këshilli Prokurorial të reflektojë në krejt këtë proces. Kemi parë që ambasada britanike ka shprehur interes që të jetë pjesë e këtij procesi të rekrutimit për kryeprokuror të shtetit. Kemi parë heshtje të Këshillit Prokurorial ndaj Ambasadës Britanike. Një proces që nuk do të jetë transparent përtej do të ngriten dyshime të mëdha sa i përket përzgjedhjes së cilido nga kandidatët që mund te vijnë në këtë pozitë të rëndësishme të kryeprokurorit të shtetit sepse do të jetë në atë pozitë 7 vjet”.

Demolli i tha Ekonomia Online se në këtë proces duhet të jenë pjesëmarrës edhe ndërkombëtarët, duke shtuar se vetëm kështu mund të ngritet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Kërkojmë nga Këshilli Prokurorial që të ketë transparencë në këtë proces të rekrutimit të kryeprokurorit të ri sepse vetëm kështu do të ngritje besimi qytetarë në këtë institucion. Prandaj kërkojmë që ky proces të jetë transparent dhe me pjesëmarrje të akterëve ndërkombëtar sepse kështu do të mund të arrijmë të kemi një kryeprokuror me kredibilitet dhe do të arrijmë të ngrisim besimin qytetar në këtë institucion”, tha Demolli.

Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi Ehat Miftaraj, në një intervistë për Ekonomia Online vlerësoi se shtatë vjet kanë qenë të humbura sa ka qenë Kryeprokuror i Shtetit Aleksandër Lumezi, duke shtuar se nuk ka pasur rezultate konkrete.

“Shtatë vjet janë të humbura në kohën kur e ka udhëhequr zotëri Lumezi më Prokurorinë e shtetit me vetë faktin që nuk e kemi asnjë rezultat konkret i cili na dëshmon që e kemi nj zyrtar të lartë publik i cili vuan dënim për korrupsion, jemi vendi i vetëm pa liberalizim të vizave”, tha ai

Sipas tij, për vetë faktin që KPK-ja dhe Kryeprokurori i Shtetit për dy muaj nuk kanë kthyer përgjigje Ambasada Britanike është tërhequr nga ky proces.

“Nëse flasim në aspektin kushtetues juridik në momentin që është shpallur pozita për kryeprokuror të shtetit ministria e drejtësisë pothuajse nuk mund të bëjë asgjë për arsye se një proces i nisur në bazë të ligjit dhe të rregullores së KPK-së do të ishte e pakuptimtë nëse do të konsiderohej ndërhyrje në sistemin prokurorial nëse do të pezullohej me ligj nga Ministria e Drejtësisë”.

Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me ndërkombëtarët do të duhej të gjenin një gjuhë të përbashkët që ky proces të jetë gjithëpërfshirës në mënyrë që të zbatohen parimet e sundimit të ligjit.

“Unë besoj që Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me akterë ndërkombëtar do të duhej të gjenin një gjuhë të përbashkët që ky proces të jetë transparent gjithëpërfshirës që të zbatohen parimet e sundimit të ligjit”.

Kurse këshilltari i Lartë Ligjor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal (CLARD), Anton Nrecaj thotë se duhet të eliminohet nga procesi i përzgjedhjes nëse nuk ka përvojë menaxheriale e përvojën e duhur.

“Sipas ligjit dhe rregulloreve të Këshillit Prokurorial është bërë shpallja e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe tashmë jemi në fazën e përgatitjeve të procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Kosova është vend i vogël, dhe ka shtatë prokurori. Këto shtatë prokurori e kanë nga një prokuror të shtetit dhe prokurorët e tjerë të cilët janë profesionist me integritet, të guximshëm në bazë të këtij kriteri automatikisht eliminohen nga procesi i përzgjedhjes sepse nuk e kanë përvojën e duhur”.

Nrecaj tha se Ambasada Britanike është tërhequr për shkak të natyrës së procesit, raporton EO.

“KPK pretendon se janë të pavarur dhe nuk lejojnë ndërhyrje nga jashtë. Përfshirë këtu edhe këshillat e partnerëve tanë siç janë Ambasada Britanike e cila ka investuar me miliona në krijimin dhe ndërtimin e institucionit të KPK-së mandej e kemi Ambasadën Amerikane e cila po të njëjtën gjë e ka bërë dhe tani e kemi këtu një izolim të gjithë procesit për të cilin po dyshojmë që nuk do të jetë transparent”.

Të ngjashme