Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi priti në takim përfaqësues nga Instituti i Bazelit për Qeverisje

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim znj. Phyllis Atkinson nga Qendra Ndërkombëtare për Asetet e Konfiskuara në Institutin e Bazelit, z. Tom Lasich, Këshilltar në ketë Institut dhe përfaqësues të UNDP-së në Kosovë në kuadër të projektit SAEK II. 

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi i ka njoftuar përfaqësuesit e këtij Instituti me punën dhe të arriturat e Prokurorit të Shtetit në luftimin e veprave të ndryshme penale, me theks të veçantë, luftimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra të kundërligjshme.

Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe për ndryshimet e bëra në ligjin mbi kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale, me ç’rast i ka njoftuar të pranishmit edhe me praktikat dhe sfidat e institucioneve ligjzbatuese në konfiskimin e aseteve të fituara me vepra të kundërligjshme. 

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi dhe përfaqësuesit e Instituti të Bazelit kanë diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, në veçanti, në ndjekjen dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurisë së personave që pasurinë e kundërligjshme e transferojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe për shtetasit e Kosovës që kryejnë vepra penale jashtë vendit dhe pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme e transferojnë në Kosovë.

Në fund, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka falënderuar znj. Atkinson dhe z. Lasich për vizitën, ndihëm dhe bashkëpunimin e Institutit të Bazelit me Prokurorin e Shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme