Kryeprokurori i Shtetit: Do të fillojmë me hetime nëse ka prova se vaksinat nga Serbia u futën ilegalisht

Prishtinë | 27 Dhj 2020 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar për Gazetën Express se do të nisin hetimet në rast se ka prova për futjen e vaksinave anti-COVID nga Serbia në mënyrë ilegale në Kosovë.

Këtë koment Kryeprokurori i Shtetit e bëri një ditë pasi ministri i Drejtësisë Selim Selimi, i bëri thirrje publike Prokuroisë që ta hetojë hyrjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë, siç i quan ai në mënyrë ilegale.

Teksa foli për këtë çështje, kryeprokurori Lumezi tha se nëse prokuroria siguron prova të mjaftueshme, menjëherë do të fillojnë hetimet penale.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të fillojë me grumbullimin e informatave dhe të dhënave të duhura, për të vërtetuar pretendimet nëse vaksinat kaë hyrë nga Serbia në menyrë të kundërligjshme. Nëse sigurojmë bazë dhe prova të mjaftueshme atëherë menjëherë do të fillojmë edhe me hetimet penale”, tha Lumezi të dielen.

Serbia ka nisur vaksinimin e qytetarëve serbë në veri, një ditë pasi shteti fqinj pranoi kontigjentin e parë të vaksinave “Pfizer” në masë 4.800 copë.

Sipas presidenti serb Vuçiç, Serbia do të marrë vaksina çdo javë dhe pas personave të moshuar që jetojnë në shtëpitë e kujdesit, vaksinimi do të fillojë edhe për pjesëtarët e stafit shëndetësor.

Ndryshe, në reagimin e ministrit Selimi, thuhet se “Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së. Çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë ketij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenoj sigurinë kombëtare të Republikës”.

“Nuk kemi qytetar të kategorisë së parë ose të dytë. Të gjithë jemi kosovarë dhe si të tillë i obligohemi vetëm nje Kushtetute e një ligji”, vijon reagimi i tij.

Kosova nuk ka siguruar akoma vaksina, por ka aplikuar në programin COVAX, i cili u mundëson vendeve të varfra dhe me zhvillim të mesëm të arrijnë te një numër i kufizuar i vaksinave.

Shumë njohës të aktualitetit vaksinimin e serbëve në Kosovë nga Serbia e panë si shkelje të konventave ndërkombëtare.

Më poshtë shihni pamjet e vaksinimit të serbëve në veri.

Të ngjashme