Kryeprokurori Lumezi dhe Ministrja Haxhiu diskutojnë për bashkëpunimin ndër-institucional

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pritur në takim njoftues Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi ka uruar Ministren Haxhiu për detyrën e re, me ç’rast e ka njoftuar atë me ecurinë e punëve, të arriturat, sfidat dhe objektivat e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Po ashtu, diskutimi i çështjeve të përbashkëta në fushën e drejtësisë si rishikimi funksional, procesi i vettingut, avancimi i llogaridhënies, transparencës si dhe efikasiteti i trajtimit të krimeve të luftës ishin në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe Ministres Haxhiu.

Më këtë rast, Kryeprokurori i Shtetit ka informuar Ministren e Drejtësisë për progresin e shënuar nga Prokuroria Speciale në krijimin e departamenteve për trajtimin e krimeve të luftës, ndarjen e prokurorëve në regjione, krijimin e databazës së përbashkët me policinë, zbatimin e strategjisë për krime lufte dhe çështje tjera me interes nga kjo fushë.

Në këtë kontekst u theksuar nevoja për mbështetje nga Ministria e Drejtësisë, veçmas në bashkëpunimin juridik me Serbinë, në mënyrë që kryerësit e veprave penale të krimeve të luftës të bëhen të arritshëm për organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Ministrja Haxhiu ka informuar Kryeprokurorin e Shtetit me prioritet e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë së re në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në funksion të forcimit të sundimit të ligjit, si dhe shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur Prokurorin e Shtetit në adresimin e çështjeve institucionale, veçmas në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe resurseve tjera të nevojshme.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit dhe Ministrja e Drejtësisë kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe konsolidimit të institucioneve të drejtësisë dhe rritjes së besimit qytetarë në to.

Të ngjashme