Kryesuesi i KPK-së: Duhet të mundësojmë qasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë

Prishtinë | 22 Jan 2021 | 11:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në konferencën vjetore të prokurorëve tha do të punojnë në ngritjen e nivelit të llogaridhënies, efikasitetit dhe cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve, raporton Ekonomia Online.

Ai ka paraqitur objektivat duke shtuar se synojnë të avancojnë sistemin e planifikimit, ta rrisin buxhetin si dhe do ta shpenzojnë buxhetin efektivisht dhe për nevoja të cilat i ka sistemi prokurorial.

“Ne së bashku do të vazhdojmë të ngrisim nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve. Ky synim do të bëjë të mundur të kemi një sistem prokurorial me integritet, transparent dhe që gëzon besimin e publikut”.

“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit vazhdimisht kishte si objektivë që të krijojë kushte më të mira për punë, numër të mjaftueshëm të prokurorëve dhe stafit administrativ si dhe infrastrukturë e pajisje moderne, andaj sot dua ta siguroj çdo të punësuar në sistemin prokurorial se të gjithë ne së bashku do ta arrijmë këtë”.

“Ne do të avancojmë sistemin e planifikimit duke punuar së bashku, do të rrisim buxhetin përmes një bashkëpunimi më të mirë me Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe do ta shpenzojmë buxhetin efektivisht dhe për nevoja të cilat i ka sistemi prokurorial”.

Synim ai tha se kanë trajnimin dhe specializimin e prokurorëve dhe se do të punojnë padalë në mënyrë që qytetarëve tu krijohet qasje më e lehtë në drejtësi, raporton EO.

“Ne do të rekrutojmë numrin e planifikuar të prokurorëve dhe personelit administrativ dhe do të punojmë së bashku me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që të trajnojmë e specializojmë prokurorët bazuar në nevojat e tyre për ngritje profesionale e etike”.

“Para disa ditësh Këshilli Prokurorial është plotësuar me anëtarë të rinj dhe aktualisht jemi në proces të konsolidimit të komisioneve të përhershme dhe përcaktimit të planeve konkrete të punës. Që të kemi besimin e publikut në punën tonë, ne duhet të punojmë pa u ndaluar dhe të krijojmë një ambient ku ka qasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë”.

Të ngjashme