Kryetari Aliu vizitoi 2 nga 4 qendrat ku po mbahet Testi i Arritshmërisë, i uron suksese nxënësve gjysmë maturantë

Ferizaj | 31 Maj 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Përfundimi i vitit shkollor në ciklin e arsimit fillor ka për qëllim që të testoj njohuritë e fituara gjatë 9 viteve të shkollimit. Në këtë kuptim, sivjet në Ferizaj iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, 1942 nxënës ferizajas, të organizuar në 4 qendra testimi.

Për t’i vizituar ata dhe ndjerë emocionet e tyre, në dy nga katër qendrat e testimit në Ferizaj, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabajni. Ishte Gjimnazi i Shkencave të Natyrës “Kuvendi i Arbërit” dhe Shkolla e Mesme e Lartë e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” që ishin përzgjedhur nga kreu komunal për t’i vizituar. Këtu, i pari i Ferizajt, Agim Aliu duke komunikuar për pak minuta me nxënësit e shkollave të ndryshme të Ferizajt, nga fshati dhe qyteti, tha se e ardhmja e qytetit, shtetit dhe shoqërisë varet pikërisht nga këta nxënës dhe se nga autoritetet shtetërore lypset përpjekje më e madhe në kultivimin e vlerave të mirëfillta dhe promovimin e talentit të nxënësve tanë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani tha se nga vet vizita por edhe raportimet e zyrtarëve mbikëqyrës në këto qendra testimi, procesi i testimit po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se nuk ka pasur vonesa në procedim. Ai tha se janë bërë të gjitha përgatitjet me kohë dhe janë dhënë njohuritë e nevojshme stafit mbikëqyrës për menaxhimin e procesit të testimit.

Në këtë vizitë të parën e këtij lloji nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në të cilën nikoqirë ishin edhe drejtuesit e shkollave përkatëse, mësimdhënës dhe mbikëqyrës nga Inspektorati i Arsimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nxënësit morën urimi nga i pari i Ferizajt për suksese në këtë test dhe rezultate të duhura në rrugën tutje të shkollimit të tyre në ciklin e mesëm.

Të ngjashme