Kryetari i AKK-së thotë se të gjitha komunat janë koordinuar për masat e reja rreth Covid-19 që nisin nga e hëna

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Sazan Ibrahimi, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka folur për takimin që kanë mbajtur kryetarët e komunave të Kosovës, e që sipas tij, të gjithë u koordinuan për masat e reja rreth Covid-19 që pritet të nisin nga e hëna.

Ai në një lidhje të drejtpërdrejt në “Express Intervistën” në Kohavision, tha se është autorizuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, për të folur për masat e marra por pas bisedimeve me kryetarët.

Ibrahimi tha se në këtë mbledhje kanë munguar disa prej kryetarëve, përfshirë edhe ata të komunave me shumicë serbe, porse të gjithë janë njoftuar për detaje.

“Asociacioni i përfaqëson të gjithë. Kryetarët e komunave me shumicë serbe nuk ishin. Por Lutfi Haziri është autorizuar që sugjerimet t’ua përcjellë atyre”, tha ai.

Ibrahimi tha se në këtë takim mes kryetarëve, ata (kryetarët) debatuan dhe në fund rekomandimi i AKK-së është që Vitia të jetë në kontakt me komunat që të nxjerrin një vendim përfundimtar. Aty u kërkua që vendimi të jetë i njëjtë për të gjitha komunat.

“Kryetarët rekomanduan që orari i lëvizjes të jetë i njëjtë për të gjitha komunat e Kosovës”, tha Ibrahimi.

Parimisht, tha tutje Ibrahimi, të gjithë janë dakord.

Por kujtojmë se kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në një mbledhje të sotme para pak orësh, tha se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të respektojë orën policore edhe pas datës 13 prill.

“Diskutimi u përqendrua në orarin e lëvizjes. Kryetarët janë të angazhuar që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit. Komunat janë pajtuar që të vazhdohet me masat për kufizimin e lirë, por kërkuan të jetë një orar unik”, tha ai tutje.

Sipas Ibrahimit, Pakoja Emergjente Fiskale duhet të implementohet sa më shpejtë. Kjo sipas tij, ishte kërkesë e kryetarëve të komunave.

Problem tjetër i ngritur nga kryetarët, tha Ibrahimi, është se çka do të ndodhë me prodhimet bujqësore e ata që kanë serra.

“Kemi bërë kërkesë që Qeveria e Kosovës t’i mbledhë këto produkte të tyre e më pas t’i shpërndajë nëpër komuna. Në të kundërtën, të gjitha ato nuk do të gjenden më në tregun e Kosovës”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit disa komuna po ballafaqohen me barriera administrative.

“Në ditët në vijim do të flasim edhe me ministrin e Shëndetësisë”, tha ai në Express Intervistë të KTV-së.

Ibrahimi tha se kryetarët e komunave janë solidarizuar me kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj, që është komuna më e prekur me Covid-19. Kjo komunë gjithashtu ka nevojat më të theksuara.

Pas Malishevës, është Prishtina e Vushtrria që janë të prekura më së shumti me koronavirusin.

“Të gjithë kryetarët që ishin prezent shprehën gatishmëri t’u ndihmojnë kushdo që shpreh nevojë”, tha ai.

Bashkëpunimi me nivelin qendror është në nivelin e duhur, tha tutje Ibrahimi, dhe shtoi se udhëzimet e tyre do të respektohen nga komunat e Kosovës.

Të ngjashme