Kryetari i Pejës, kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Rugovë

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 09:45 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe përfaqësues të kompanisë austriake “KelKos Energy”, të enjten kanë zhvilluar një takim që është tentuar të mbahet fshehtë, shkruan sot “Koha ditore”.
Në këtë takim është diskutuar për projektin e kompanisë austriake për ndërtimin e pesë njësive gjeneruese për prodhimin e rreth 60 megavat energji elektrike në Lumbardhë. Projekti në vlerë prej 120 milionë eurosh është kundërshtuar nga qytetarët e Pejës, organizatat e shoqërisë civile në Pejë, komuna dhe kryetari Gazmend Muhaxheri.

Gjithashtu, ai është në kundërshtim edhe me Planin zhvillimor të Komunës së Pejës, për periudhën 2006-2025. Megjithëkëtë, kryeministri Isa Mustafa ka thirrur një takim, për të cilin nuk janë njoftuar mediet. Takimi është tentuar të mbahet fshehur edhe nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë.

Asistentja e ambasadorit, nëpërmes telefonit ka thënë se për të gjitha informatat për takimin duhet të kontaktohet Kryeministria. “Takimi do të mbahet në Kryeministri, por ne nuk kemi njoftuar mediet dhe ai është i mbyllur, për çdo informatë mund të kontaktoni Kryeministrinë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu, si dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, që gjithashtu është edhe zëdhënës i Qeverisë, nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike të gazetës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme