Kryetarja e Gjykatës Speciale para 4 viteve thoshte se të dyshuarit s’mund të qëndrojnë më shumë se një vit në paraburgim, por çfarë sot?

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Katër vjet më parë, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Eketarina Trendafilova, kishte folur për periudhën e paraburgimit.

Trendafilova kishte thënë se të dyshuarit nuk mund të qëndrojnë më shumë se një vit në paraburgim. Por tani kur në Hagë po mbahen disa nga krerët kryesorë të UÇK’së, nga kjo gjykatë thonë se gjërat kanë ndryshuar.

“Ne jemi përgatitur që ta sigurojmë kornizën ligjore që do t’i shërbejë qëllimit të sigurisë së gjithkujt që do të paraqitet para gjykatës dhe proceseve të drejta për të gjithë të akuzuarit. Andaj kemi ardhur në përfundim se paraburgimi nuk mundë të zgjasë më shumë se 1 vit”, kishte thënë Trendafilova.

Duke iu referuar ligjeve të dhomave të specializuara, Trendafilova kishte thënë se të dyshuarve nuk mund t’u zgjatet afati i paraburgimit për më shumë se 1 vit. Por tash gjykata speciale në përgjigje për RTK-në, deklaratën e Trendafilovës e arsyeton me rrethanat tjera që ishin në atë kohë.

“Periudha njëvjeçare së cilës i referoheni në Rregullore, ka të bëjë me të dyshuarit dhe jo me personat e akuzuar ndaj të cilëve është konfirmuar aktakuza. Intervista e Presidentes ishte në nëntor 2017, pra më shumë se 4 vjet më parë, përpara se Dhomat e Specializuara të fillonin ndonjë procedurë gjyqësore. Në atë kohë, Presidentja nuk u referohej rrethanave aktuale, ku Dhomat e Specializuara kanë tetë të akuzuar në paraburgim për të cilët janë konfirmuar aktakuzat”.

Juristët deklarojnë se pas konfirmimit të aktakuzës dhe kur të dyshuarit janë në paraburgim, procedurat duhet të zhvillohen më shpejt.

Ditë më parë, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i ka kërkuar gjyqtares, shtyrjen e afatit për shqyrtimin e paraburgimit dhe një gjë e tillë i është pranuar mbrojtjes.

“Praktika e gjykatës ndërkombëtare për te drejtat e njeriut thotë që në rastet e ndalimit te paraburgimit, pas ngritjes së aktakuzës, duhet te procedohet ne mënyre sa me te shpejt, dhe mos te jete nje kohe e gjate sepse ajo në të kundërtën konsiderohet si shkelje e te drejtave te njeriut”, ka thënë juristi Taulant Hodaj.

Të ngjashme