Kryetarja e KQZ-së priti në takim përfaqësuesit e organizatës Down Syndrome Kosova

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka priti në takim përfaqësuesit e organizatës Down Syndrome Kosova.

Në emër të mysafirëve foli Aldi Hoxha i cili bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin të votojnë. “Unë jam një person me sindromën Down, sikur çdo njëri tjetër kam të drejtë të votoj këdo që dua. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote që të dalin të votojnë më 6 tetor”, tha përfaqësuesi i Down Syndrome Kosova, Hoxha.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Daka u shpreh se është shumë e lumtur për këtë vizitë dhe që KQZ-ja i bashkohet fushatës së muajit të ndërgjegjësimit për sindromën Down.

“Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë disa kategori votuesish të cilat janë pjesa më e ndjeshme e një procesi zgjedhor – këtu kam ndërmend votuesit e verbër e me të pamur të dobësuar; votuesit me aftësi të kufizuara dhe votuesit me sindromën Down”, tha kryetarja Daka, e cila shtoi se KQZ-ja përveç që ka për detyrë kushtetuese t’u krijojë mundësinë që të votojnë të gjithë qytetarët me të drejtë vote, është munduar vazhdimisht që këto kategori t’i trajtojë me shumë humanitet.

Në mbarë botën muaji tetor është muaji i ndërgjegjësiit për sindromën Down. Ky aktivitet i përbashkët ka për qëllim inkurajimin për të votuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote në Kosovë, me fokus personat me aftësi të kufizuara veçmas atyre me sindromën Down.

Të ngjashme