Kryetarja e Kushtetueses flet për parimin e sigurisë juridike

Prishtinë | 01 Dhj 2021 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka – Nimani, priti në takim një delegacion të përbërë nga Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, Avokati i Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, Avokati i Popullit të Maqedonisë së Veriut, Naser Zyberi, dhe Komisioneri i Shqipërisë për Mbrojtje nga Diskriminimi, Robert Gajda.  

“Pasi që i informoi mysafirët përkitazi me konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në harmoni me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kryetarja Caka – Nimani vuri në dukje rëndësinë e qëndrueshmërisë së jurisprudencës të gjykatave në ndarjen e drejtësisë për qytetarët, duke respektuar parimin e sigurisë juridike”, thuhet në komunikatën për medie të Kushtetueses.

Gjatë takimit, të gjitha palët konfirmuan misionin fisnik që kanë gjykatat kushtetuese dhe institucionet e avokatit të popullit në garantimin e funksionimit demokratik të mekanizmave shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me ç’rast shkëmbyen përvojat reciproke përkitazi me ankesat kushtetuese dhe problematikat që hasin qytetarët e kategorive të ndryshme në vendet e tyre.

Me rëndësi të veçantë në takim u vlerësuan edhe reformimi dhe forcimi i kornizës ligjore shtetërore përkitazi me të drejtat e njeriut, si dhe informimi i  vazhdueshëm i qytetarëve lidhur me të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara./EkonomiaOnline/

Të ngjashme