Kryqi i Kuq dhe UNICEF identifikojnë fëmijët e paregjistruar

Prishtinë | 07 Dhj 2018 | 13:41 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryqi i Kuq i Kosovës ka mbajtur një takim me partnerë për të prezantuar të gjeturat nga projekti “Regjistrimi i fëmijëve të paregjistruar”.

Me këtë rast u dhanë detaje rreth procesit të identifikimit, regjistrimit dhe vetëdijesimit për rëndësinë e regjistrimit të fëmijëve.

Donator i këtij projekti është UNICEF-i, ndërsa partner janë Agjencia për Regjistrim Civil, Zyra për Gjendje Civile në komuna, Qendra për Punë Sociale dhe Kryqi i Kuq, përfshirë stafi dhe vullnetarët e tyre.

Antigona Sopjani, koordinatore për Mirëqenie Sociale në Kryqin e Kuq, tha se për këtë pilot projekt janë monitoruar katër komuna: Mitrovica, Gjilan, Ferizaj dhe Vushtrri. Prej tyre, Ferizaj ka rezultuar me numrin më të madh të personave të paregjistruar.

“Kryqi Kuq i Kosovës ka filluar me implementimin e projektit Regjistrimi Civil për fëmijët e pa regjistruar me ndihmën e donatorit UNICEF duke e parë nevojën e madhe në terren se ka një numër mjaft të madh të paregjistruar dhe tani në 2018 fatkeqësisht ende ekziston një numër i madh i fëmijëve të paregjistruar”, tha Sopjani, për Ekonomia Online.

Sipas Sopjani, ky projekt ka filluar për të bërë identifikimin e fëmijëve të paregjistruar dhe ndërgjegjësimi i prindërve për rëndësinë dhe nevojën për regjistrimin e fëmijëve të tyre.

“Stafi i Kryqit të Kuq dhe vullnetaret kanë dalë në terren tek familjet për të identifikuar fëmijët e paregjistruar. Është identifikuar një numër i madh kryesisht i komunitetit shqiptar, romë, ashkali e egjiptian dhe një pjesë tjetër e komunitetit serb ku kemi pasur pengesa në disa raste ku komuniteti serb dhe komunitetet tjera kanë hezituar të japin të dhënat për fëmijët e paregjistruar për shkak të përfitimeve të tyre nga vendet ku vijnë në shtetin e Serbisë që janë të regjistruar në atë pjesë”.

Sopjani tregoi për rezultatet e dala nga vizitat në terren që kanë qenë në këto katër komuna.

“Pjesa e parë e projektit: Mitrovicë 37 fëmijë (shqiptarë, ashkali, romë, serbë), Ferizaj 100 fëmijë (shqiptarë), Gjilan (12 fëmijë dhe 38 të rritur (shqiptarë dhe romë), total 180 fëmijë, 42 të rritur). Ndërsa, Pjesa e dytë e projektit: Mitrovicë 26 fëmijë dhe 2 të rritur (12 shqiptarë, 7 ashkali dhe 9 romë), Ferizaj 31 fëmijë (shqiptarë), total 52 fëmijë dhe 2 të rritur”, tha Sopjani.

Sopjani tha se numri total i të paregjistruarve të identifikuar fëmijë janë 232 fëmijë dhe 44 të rritur.

“Sfidat, numër i madh i fëmijëve të paregjistruar, mospranimi i prindërve për regjistrim të fëmijëve, kryesisht nga komuniteti serb, romë, egjiptian dhe ashkali, mungesa e dokumentacionit, vendet rurale neglizhencë e madhe”.

Rekomandim i Kryqit të Kuq është që të bëhet identifikimi fëmijëve të paregjistruar në tërë territorin e Kosovës dhe jo të mbetet vetëm në këto komunat si pilot projekt. Sipas saj, duhet bëhet edhe regjistrimi i fëmijëve të identifikuar, ndërgjegjësimi i fëmijëve për rëndësinë e regjistrimit të fëmijëve përmes mjeteve propaganduese, lehtësim në procedurat e regjistrimit dhe heqja e dënimeve dhe aplikimi i shpërblimeve.

Ndërsa, Milanka Bazdar nga UNHCR-ja, tha se secili person e ka të drejtën për të pasur nënshtetësinë e tij.

“Asnjë fëmijë nuk duhet mbetur i paregjistruar dhe secili ka të drejtën e nënshtetësisë të mos mbetët askush pa nënshtetësi. Ne po i ndihmojmë komunitetet rom, ashkali e egjiptas që kanë nevojë më të madhe. UNHCR-ja do të vazhdojë të mbështesë aktorët në këtë fushë. Ju falënderojmë për mbështetjen dhe ardhjen tuaj”, tha ajo.

Ajo tha se disa prej komunave veçse kanë filluar të heqin taksën komunale për gjobat. Ferizaj është njëra prej komunave që ka filluar zbatimin e këtij veprimi.

“Disa komuna kanë hequr taksën komunale dhe gjobat, komuna e Ferizajt ka bërë një vendim për komunitetet ka vë në përpunim qarkoren dhe në bazë të saj, komunitetet nuk janë kërkuar të paguajnë më gjoba”, tha Bazdar.

Gjatë këtij takimi u theksua nevoja për heqjen e gjobës për regjistrim civil, pasi që sipas pjesëmarrësve heqja e gjobave dhe e dënimeve është lehtësim pasi që disa prej prindërve nuk i kanë kushtet për pagesë.

Ahmet Jashari nga Agjencia për Regjistrim Civil tha se gjoba nuk është vetëm ndëshkim, por vetëdijesim për qytetarët.

“Janë projekte të veçanta sepse regjistrimi i fakteve që ka ndodh që nuk janë të regjistruara janë një ndjenjë humane që duhet me qenë të regjistruar, ky projekt nuk do të realizohej pa bashkëpunimin e zyrës për gjendje civile, të arriturat janë të dukshme, këto projekte dhe qëllime me u eliminuar  sa më shumë lindjen e paregjistruara, bashkëpunimi ka me qenë në nivel si deri tani edhe me kryqin e kuq, UNICEF-in, UNHACR. Taksa ndëshkimore të zvogëlohen ose të largohen, por qëllimi i taksës nuk është të ndëshkohet por të vetëdijesohet”, tha ai.

Fuad Behluli, sekretar i Kryqit të Kuq në komunën e Ferizajt tha se është mirë që të largohet dënimi apo gjoba e mos regjistrimit.

“Komuna e Ferizaj 100 familje që janë regjistruar më pjesën e parë, 17 janë riregjistruar, 15 dhe 17% janë riregjistruar dhe ky është rezultat i kënaqshëm“, tha Behluli.

Arben Hyseni nga Zyra për Gjendje Civile në komunën e Mitrovicës tha se heqja e gjobës nuk mund të bëhet vetëm për komunitete për mos regjistrim pasi që ata nuk kanë mjete identifikuese se i takojnë një komuniteti të caktuar.

“Ose duhet me e bërë një zyre të posaçme ose nuk duhet bërë diskriminime, njerëzit janë të gjithë njësoj”, tha ai.

Selvete Zymeri, sekretare e Kryqit të Kuq në Novobërdë në komunën e Gjilanit tha se është mirë të hiqet gjoba sepse personat që janë me raste sociale ata nuk e kanë mundësinë ta paguajnë edhe këtë regjistrim.

“Gjoba duhet hequr gjithsesi sepse në Novobërdë, shumica janë rast social dhe nëse u vihet atyre gjoba atëherë nuk ka mundësi të paguaj”, tha Zymeri.

Bekim Selmani nga Zyra për Gjendje Civile në komunën e Vushtrrisë tha se gjoba është e paraparë me ligj dhe se heqja e gjobës është një kompetencë që nuk u takon atyre.

“Nëse një prind nuk jep kujdesin ligjor ai mundet me kaluar në vepër penale dhe me është gjobitë, prindërit janë të detyruar me ligj të kryejnë obligimet ligjore të fëmijëve, ndërsa sa për gjobën kjo çështje është e paraparë me ligj dhe gjitha dokumentet apo aktet nënligjore që kanë rrjedh nga ky ligj e parashikojnë gjobën”, tha Selmani.

Maliq Thaëi nga Kryqi i Kuq në Fushë-Kosovë tha se është mirë që nga ky takim me dal në një përfundim për t’i dërguar një letër Agjencisë së Regjistrimit Civil apo edhe kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, për të hequr gjobën apo dënimin e regjistrimit pasi që sipas tij atë gjobë ka qytetarë që nuk e kanë mundësinë e pagesës së saj.

“Qeveria është për të përmirësuar kualitetin jetesës së qytetarëve dhe nga ky takim ne me dal me një qëndrim me iu drejtu ARC-së”, tha Thaçi.

Të ngjashme