Kthehet në plotësim ekspertiza në rastin ku ish-drejtoresha e KOSTT po kërkon kthim në punë dhe kompensimin e pagave

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën është kthyer në plotësim ekspertiza financiare në rastin ku ish-drejtoresha e Bordit të ndërmarrjes Publike -Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) Drita Konxheli – Radoniqi po kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës anulimin e vendimit përmes të cilit është shkarkuar dhe kompensimin e pagave.

Propozimin për plotësimin e ekspertizës nga lëmia financiare e ka bërë përfaqësuesi i të paditëses Drita Konxheli – Radoniqi, avokati Taulant Hajdari i cili tha se në ekspertizën e datës 21 dhjetor 2021, ekspertja Gresa Shabani nuk e ka kalkuluar kamatën ligjore për dy variantet e përllogaritjes si në ekspertizë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, avokati Muharrem Kurtaj tha se nuk është kontestuese se Konxheli – Radoniqi ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura dhe se nuk është kontestuese se e njëjta ka cenuar ligjin për konflikt të interesit me ç‘rast e paditura ia ka ndërprerë menjëherë marrëdhënien e punës.

Kurtaj tha se ekspertizën e kishin konsideruar nga fillimi të panevojshme dhe të njëjtën e kundërshtoi në tërësi si për nga baza njashtu edhe për nga lartësia e saj.

Gjithashtu, avokati Kurtaj i propozoi gjykatës që ekspertja Shabani në seancën e radhës të sqarohet për ekspertizën pasi që është e pasqaruar çështja se paditësja Konxheli – Radoniqi ka punuar gjatë periudhës kontestuese në ndonjë institucion publik apo privat pasi që tha se nuk ka dëshmi nga Trusti i Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Përparim Zeka e ka aprovuar propozimin për plotësimin e ekspertizës financiare.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 dhjetor 2021.

Ndryshe, në procesverbalin e datës 5 tetor 2021 pala paditëse ka bërë precizimin e kërkesëpadisë ashtu që në petitum të padisë duhet të jetë vendimi me numër 1205 i datës 29 shtator 2017 si dhe të detyrohet e paditura që paditëses Konxheli – Radoniqi t’ia kompensojë pagat. Përfaqësuesi I të paditurës në të njëjtën datë kishte propozuar që të bëhej nxjerrja e provës nga lëmia e ekspertizës financiare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme