Kuçi: Shpallja e Pavarësisë ishte në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, që ishte koordinator i këshillit përgatitor që u mor me përgatitjet për shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, ka treguar prapaskenat e ditës së madhe.

Kuçi ka thënë se Pavarësia e Kosovës në kuptimin juridik është pavarësi e shpallur në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, e nuk është e njëanshme siç pretendojnë disa shtete.

“Ka qenë koordinim i plotë, Pavarësia e Kosovës në kuptimin juridik është pavarësi e shpallur në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e nuk është e njëanshme siç pretendojnë disa shtete”, ka thënë Kuçi në KTV. “Kemi qenë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe me qendrën e Brukselit, jo gjitha shtetet e BE-së. Ka pasur përgatitje paraprake, ishte stresuese. Kemi qenë në koordinim të mirë me SHBA-në. Qysh në mesin e dhjetorit të vitit 2007 e kemi ditur datën kur do të shpallet. Kemi bërë përgatitjet e duhura me institucionet vendore”.

Ai ka thënë se kishte koordinim të plotë mes kryeministrit atë atëhershëm Hashim Thaçit, presidentit Fatmir Sejdiu dhe ambasadores së atëhershme të SHBA-së në Kosovë, Tina Kaidanow.

“Ishte trekëndësh, ky Thaçi, Sejdiu e Tina Kajdanow, ishin në koordinim të plotë. Kaidanow ishte prej kontribuueseve më të mëdha në atë koordinim për atë që ndodhi në Kosovë. Kemi qenë të kujdesshëm për veprimet vizuele, e aspektin e sigurisë. Kishim informata se mund të ketë lëvizje, zhvendosje të qytetarëve tanë serbë, që do të krijonte imazh të keq për ditën e Pavarësisë. Nuk dëshironim që paraprakisht ta bënim të ditur ditën e shpalljes së Pavarësisë. Ishim të kujdesshëm nga lëvizjet euforike. Por çdo gjë ishte përgatitur në detaje”, ka thënë Kuçi.

Kuçi ka treguar se qysh në dhjetor kishin informata, ka qenë tendencë që të shpallej më 17 shkurt pasdite apo 18 shkurt paradite.

“Më datën 18 shkurt në ora 11:00 paradite ishte mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së, ku kërkonin që ne ta shpallim pavarësinë në kohën kur kjo çështje nuk do të hynte në rend dite të këshillit atë ditë. Por, siç jemi ne të ngutshëm thamë më 17 shkurt pasdite, e lam në ora 15:00, ishte ditë e diele. Jemi ngut për atë ditë, por jo edhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ndoshta në këtë aspekt ishim vonuar”, ka thënë Kuçi.

Kuçi tregon se si në marrëveshje me ndërkombëtarët ishte kërkuar që të hiqej flamuri kombëtar nga oborri i Qeverisë kur të shpallej Pavarësia.

“Në orën 7:10 ka thirr Tina Kaidanow, tha se nuk po i mbani premtimet. Ishte te shtylla në oborr të Qeverisë. E kuptoj në kuptimin juridik, por nuk ishte shumë e lehtë. E lutëm nëse mund të mos e heqim edhe sot. Ishim të ndjeshëm”, ka thënë Kuçi.

Ai ka treguar se nuk ka qenë Kosta Rika shteti i parë që e ka njohur Kosovën, por se është lënë ashtu.

“Ndodhën njohje shumë të shpejta. Në aspektin e drejtës ndërkombëtare Izraeli e mban këtë rekord. Por, mendoj se ia kemi thyer këtë rekord”, ka thënë Kuçi.

Ai ka thënë se duhet synuar që Kosova të bëhet shtet modern me kuptim të plotë, e i begatë për qytetarët. Ka thënë se në planin ndërkombëtar duhet të ndihmojnë ndërkombëtarët me njohjet nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën, me liberalizimin e vizave e po ashtu me anëtarësimin në OKB.

Kuçi ka thënë se nëse pritjet tona janë të përafërta me ato të shteteve të BE-së, atëherë duhet punuar ngjashëm.

Të ngjashme