Kulla e Haradinajve priti qindra mysafirë

Prishtinë | 28 Pri 2017 | 08:26 | Nga

I përballur me shumë sfida gjatë jetës së tij, kësaj radhe Hilmi Haradinaj ishte më i përmbajtur. I ulur në kolltukun e odës në kullën e Haradinajve heshtur priste dhe përcillte me dhjetëra mysafirë të cilët kishin ardhur për ta uruar për lirimin e djalit. E kur nisi të fliste, modest e fjalëpakë si gjithmonë. Edhe kësaj radhe për të kjo ishte fitore për Kosovën dhe për UÇK-në.

“Po, e kemi pritur lirimin e tij. Tani ai po i kthehet vendit të tij”, thotë me bindje Hilmi Haradinaj. E sa për të mos marrë asnjë lëvdatë për vete, ai thotë se Ramushi tanimë nuk është vetëm i tij. “Ramushi nuk është i joni, i Gllogjanit apo i Kosovës, por i krejt Shqiptarisë. Kosova ka pasur nevojë për Ramushin”, ka rrëfyer kreu i Haradinajve. Me rëndësi për babanë e dy dëshmorëve të UÇK-së ishte se lufta e UÇK-së u pastrua edhe këtë herë.
“Ata kanë luftuar për vendin e tyre, kanë luftuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ramushi, njeri i gjallë, do të përpiqet të punojë për mirë besoj”, ka përfunduar ai.

E në mesin e familjes Haradinaj vendimin për lirimin e Ramushit e kanë përjetuar të gjithë.

“Lajm më të gëzueshëm kurrë nuk kemi pritur. Ramushi njëherë ka qenë në Hagë dhe e ka përfunduar me nder, edhe tash e përfundoi me nder dhe respekt, kjo dëshmon që lufta e UÇK-së ka qenë shumë e pastër çdoherë edhe ka me qenë çdoherë, edhe në fund drejtësia po tregon që ka qenë i pastër gjithmonë”, ka thënë Rasim Haradinaj, xhaxhai i Ramushit.

Ndërkohë, për të tilla raste në vizitë kësaj familjeje zakonisht i kanë ardhur edhe udhëheqësit e Deçanit. Kryetari Rasim Selmanaj, i cili ishte për vizitë në familjen Haradinaj, ka thënë se vendimin për lirimin e Ramushit e kanë pritur jashtëzakonisht mirë. “E kemi pritur si lajm jashtëzakonisht të gëzueshmen, në fakt kemi qenë të befasuar me faktin sesi katër muaj në Francë, në një shtet mik për Kosovën, të qëndrojë Ramush Haradinaj me fletarrestim të Serbisë, më të vërtetë ka qenë një fyerje jo vetëm për Ramushin, por për gjithë shqiptarët e Kosovës. Mirëpo ja që ndodhi lajmi i mirë dhe drejtësia fitoi”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se ishte dashur që këto ndalime me fletarrestime të Serbisë të mos ndodhin por, siç thotë ai, “shteti i Kosovës nuk e ka atë fuqi që t’i eliminojë fletarrestimet e Serbisë”.

Përveç familjarëve ata që iu gëzuan këtij lajmi ishin edhe qytetarët. Jakup Hamzaj tha se këtë vendim të Gjykatës së Francës e kishin pritur qysh në fillim, pasi besonin në vlerat e tij. Ai thotë se Ramushi është një njëri që gjithmonë e ka pasur synim lirinë e këtij populli, drejtësinë e këtij populli me gjithë vuajtjet e tij gjatë luftës.

“Qysh në fillim kemi pritur që të ndodhë ky vendim pasi kemi besuar në vlerat e tij, në moralin e tij të pastër shpirtëror, që ai njëri nuk ka ditur asnjëherë të merret me krime, sepse nuk është nga një familje që e kanë ushqyer krimet, ai gjithmonë e ka pasur synim lirinë e këtij populli, drejtësinë e këtij populli me gjithë vuajtjet e tij gjatë e pas luftës.

Në Hagë është ballafaquar me të gjitha torturat që vetëm ai ka mundur t’u bëjë ballë, por në fund drejtësia triumfoi”, ka thënë Hamzaj.

Edhe Mustafë Selamnaj Ramush Haradinajn e cilëson si një njëri të drejtë. Ai ka thënë se Franca duhet t’i kërkojë falje Ramushit dhe gjithë popullit shqiptar për këtë padrejtësi që iu bë për 4 muaj me radhë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme