Kumnova: As shteti jonë s’ka çka me bo pa presionin ndërkombëtar për fatin e të pagjeturve

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Nusrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës tha se sot në 23 vjet pritje, familjarët ende duan të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

“Kjo ditë është shumë e rëndë, edhe pse i rëndë është i gjithë viti për familjet, por një datë e caktuar ku është bërë masakra më e madhe në Mejë – është e rëndë për familjet edhe për qytetarët. Më herët u ktheva nga Meja dhe ishte shumë i vështirë takimi për t’i ngushëlluar familjarët, ku secili i kishin rrethuar varret e më të afërmve të tyre dhe prisnin mysafirë”, tha Kumnova.

Kumnova në një rrëfim emocionues në Info Magazine në Klan Kosova, tha që shpesh nga mërzia i ka bërë pyetjen edhe institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtarëve që: “Çka do të kishin bërë nëse do ju kishte ndodhur e njëjta gjë?”.

“Kaniher kemi dal edhe prej vetes nga mërzia. E kom bo pyetjen edhe ndërkombëtarëve sikur të ju kish ndodh juve si do të kishit vepru? Kurrë këtë përgjigje s’e kom marrë, se e dinë edhe vetë që nuk po kërkojnë sinqerisht. Së paku personat e zhdukur të pushojnë në vendlindjen e vet e të mos na mbesin në varrezat masive të Serbisë, sepse nuk e meritojnë”, ka thënë ajo.

Tutje Kumnova ka thënë që me presionin e ndërkombëtarëve, shpreson që personat e zhdukur do të gjenden dhe do të kthehen në vendin e tyre.

“Ata nuk janë të pagjetur. Për secilin Serbia e di vendndodhjen e tyre, e di vet se ku i ka varrosur dhe ku i kanë lënë. Këtu ka munguar presioni ndërkombëtar, sepse dhe shteti jonë s’ka çka me bo pa presionin ndërkombëtar. Nëse vazhdon ky presion, shpresoj që duhet të gjinden edhe ata dhe të kthehen”, tha ajo.

Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës ka qenë edhe temë e dialogut Kosovës-Serbi, por cila është kërkesa e familjarëve?

“Kërkesat e familjarëve janë që qeveria jonë të bëjë trysni tek ajo e Serbisë, së bashku me ndërmjetësimin e ndërkombëtarve që ta kushtëzojnë Serbinë që t’i japin Serbisë ultimatum që t’i kthejnë trupat që ndodhen ende në varrezat e Serbisë dhe që shteti jonë të kërkojë që të dënohen kriminelët që kanë bërë krime ndaj qytetarëve të pafajshëm”, tha Kumnova.

Të ngjashme