Kundërshtohet mbyllja totale

Prishtinë | 19 Gus 2021 | 21:34 | Nga Ekonomia Online

Gastronomet e kundërshtojnë mbylljen totale të punës, kryetari i AKB-së kritikon qeverinë për këto masa.

Të mërkurën janë miratuar masat e reja kundër përhapjes së virusit korona. E përveç bartjes së obligueshme të maskës në ambiente të mbyllura dhe gjatë lëvizjes në grup është kufizuar orari i gastronomisë, teksa janë anuluar të gjitha ahengjet familjare dhe janë mbyllur klubet e natës deri me datën 1 shtator.

Duke parë shifrat e larta me të infektuar ditëve të fundit me këto masa janë pajtuar edhe pronarët e restoranteve deri në qetësimin e situatës por këta nuk janë për mbyllje totale.

Të paktën kështu bëri të ditur kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit së Kosovës, Hysen Sogonjeva. Ani pse sipas Sogojevës rreth 80% e ahengjeve janë mbajtur anulimi i 20% të dasmave të mbetura do të shkaktojë humbje të mëdha.

E që këto masa janë marrë pa asnjë analizë të mirë të situatës e thotë edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Tutje kryetari i AKB-së i rekomandon Qeverinë që të mos vije deri të një mbyllje e serishme, pasi pasojat në ekonomi do të jenë të mëdha dhe kompensimi do të jetë si në të kaluarën pa fonde të mjaftueshme.Këto masa do të jenë në fuqi deri më datën 1 shtator.

Të ngjashme