Kur do të rinisin punën ambasadat e BE-së në Kosovë?

Prishtinë | 13 Qer 2020 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj thotë se do të kenë konsultime me diplomatët e shteteve të BE-së në Kosovë për të gjetur mënyrën për rinisjen e punës në ambasadat e këtyre vendeve në Kosovë.

Thotë se mijëra qytetarë çdo ditë interesohen për një gjë të tillë, dhe se ata po punojnë në këtë drejtim?

“E dimë, se shumë qytetarë të Kosovës janë në pritje të udhëtojnë në shtetet e BE-së, sidomos në Austri, Suedi, Zvicër, e Gjermani, qoftë për një kohë të shkurtër, si turist apo për një udhëtim pune”, shkroi Zemaj në Facebook.

Shkrimi i plotë i Zemajt në Facebook:

Ditëve në vijim unë si ministër dhe qeveria Hoti në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë do të vazhdojmë kontaktet miqësore me diplomatët e shteteve të Bashkimit Evropian, për të gjetur mënyrën dhe mundësinë për qytetarët tanë që të rinisin lëvizjen e lirë drejt BE- së , gjithnjë duke i respektuar rregullat dhe udhëzimet kundër Covid-19 të rekomanduara nga mjekët.

Ne nuk mund të interferojmë në vendimet e ambasadave dhe të qeverive të shteteve mike për rihapjen e kufijve të tyre dhe rinisjen e shërbimeve konsullore.

Nuk mund të bëhemi as zëdhënës të tyre, pavarësisht se kemi marrëdhënie shumë miqësore dhe bashkëpunim të shkëlqyer. Ne i falënderojmë shumë për ndihmën e tyre të dhënë gjatë gjithë këtyre viteve, e sidomos tani në luftën kundër pandemisë. Pa këtë ndihmë do të ishte shumë e vështirë për Kosovën.

E dimë, se shumë qytetarë të Kosovës janë në pritje të udhëtojnë në shtetet e BE-së, sidomos në Austri, Suedi, Zvicër, e Gjermani, qoftë për një kohë të shkurtër, si turist apo për një udhëtim pune.

Çdo ditë mijëra qytetarë pyesin se kur do të rihapën ambasadat e konsullatat e BE-së në Prishtinë, për t’u pajisur me viza, sikurse për rihapjen e plotë të aeroportit të Prishtinës dhe rinisjen e linjave të rregullta të fluturimeve drejt shteteve të Shengenit. Atje ku kemi qindra mijëra mërgimtarë, për të cilët do të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’u lehtësojmë udhëtimin e tyre për në atdhe ku do të bëjnë pushimet afër më të dashurve të tyre. Mërgata jonë e çmuar është shpresë dhe mbijetesa e shumë familjeve në Kosovë.

Të ngjashme