Kursehen 40 milionë euro në autostradën Prishtinë-Gjilan

Prishtinë | 13 Shk 2018 | 15:39 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj mbajti konferencë për media lidhur me nënshkrimin e kontratave të operatorëve për ndërtimin e autostradës A 7.1 Prishtinë-Gjilan. Përveç informatave në lidhje me kontratën e autostradës, u bë e ditur se projekti i kaluar nuk ishte në nivel dhe ata e kanë riformuluar. Nga kjo shteti i Kosovës i ka kursyer 40 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Lekaj tha se projekti nuk do ndryshojë rrjedhën paraprake që ka pasur edhe pse sipas tij ka pasur tendenca për ndryshimin e trasesë.

Ai tha se reagimi i Hazirit në mospjesëmarrjen e kontratës është pa vend sepse sipas tij projekti është gjendur i tillë në MI por që sipas Lekajt nuk ka përmbushur kriteret për fillimin e ndërtimit të autostradës.

“Ne jemi zotuar që nuk do të ketë ndarje rajonale por do të kujdesemi në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe dje siç jeni të informuar është nënshkruar kontrata për autostradën për Gjilan. Ka gjatësi 22 km me katër korsi dhe do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të Anamoravës dhe gjithë territorit sepse e lidhë Kosovën me autostradat tjera dhe me qytetet tjera”, tha Lekaj.

“…duhet t’i gëzohemi këtij projekti dhe është projekti më madhor që është projektuar pa përzierje të jashtme, dhe jemi përkujdes që të respektohen të gjitha normat e prokurorimit publik. Kur kemi ardhë e kemi gjet në procedurë por nuk i ka përmbushë kriteret e prokurorimit publik, dhe ne jemi në kohë dhe të gjitha procedurat janë bërë në mënyrë të rregullt. Janë përzgjedhë 8 operatorë ekonomik, ky projekt do fillojë në pranverën e hershme”.

Në pyetjen e gazetarëve se pse ka munguar kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit në momentin e nënshkrimit të kontratës, ministri Lekaj është përgjigjur se mungesa e tij ishte e pa vend sepse ata e kanë gjetur në procedurë këtë projekt dhe se projekti i kaluar nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar.

Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu tha se vlera e projektit kap shifrën 88 milionë euro, shumë më lirë sesa sa ka qenë fillimisht 126 milionë euro.

“Autoudha që po bëhet nga qeverisja Haradinaj është autoudhë që do lidhë Preshevën, Shkupin dhe Tiranën. Ky është lajm i rëndësishëm për Anamoravën, lidhë mbi 500 mijë banorë që i ka munguar Gjilanit. Kyçja në këtë autostradë në Banullë: do ta kemi një dalje në fshatin Verbicë në Zhegovc dhe në fshatin Bresalc 22,31km, do ta ketë një urë. Dinamika e kryerjes do të jetë 30 muaj”, tha Kadriu.

“…kjo është një e arritur e madhe sepse këtë punë do ta kryejmë për 88 milionë, 40 milionë më lirë sesa e planifikuar. Mjetet e mbetura do vazhdojnë në segmente të tjera. Deri në mars do të fillojnë të gjitha procedurat. Shpejtë do të fillojë shpronësimi i tokave. Traseja është por shpronësimi nuk ëshë sepse pjesa më e madhe kalon në pronë shtetërore”.

Të ngjashme