Kurti bën homazhe në nder të jetës e veprës së ish-drejtorit të Baletit Ahmet Brahimaj

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në nder të jetës e veprës së ish-balerinit dhe drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Sot trupa e baletit e dha lamtumirën e fundit për Ahmet Brahimaj, figurën padyshim kryesore të baletit në Kosovë. Djem dhe vajza nga kjo trupë e dhanë lamtumirën e tyre në mënyrën më të mirë që një trupë artistike mund ta bëjë: Përmes performancës. Ata për disa minuta, para fotografisë së tij dhanë shfaqjen koreografike nën tingujt e Max Richter, rikompozimit të tij nga Katër Stinët e Vivaldit.

Një lamtumirë për njeriun që ka dhënë kontribut në rindërtimin, frymëzimin dhe përparimin e baletit në Kosovë.

Brahimaj ka qenë një ndër balerinët e parë të Kosovës nga brezi i parë, si dhe figura kryesore e rinisjes së baletit në vitin 2001. Ai fillimisht e ka mbajtur gjallë dhe më pas e ka ngritur baletin në nivel që të na bëjë krenarë në gjithë botën.

Ngushëllime familjes, miqve, nxënësve dhe balerinëve të tij për këtë humbje të madhe për Kosovën.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme