Kështu shkroi kryeministri Kurti në Librin e Zisë për regjisoren Burbuqe Berisha

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Në nderim të veprës së regjisores dhe ish-drejtoreshës së Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë vënë lule dhe kanë bërë homazhe në Teatrin Kombëtar.

Qysh në kohën e okupimit të Serbisë me aparteid të egër, e deri në ditët e fundit, Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi e puna e saj për teatrin dhe filmin, lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë, tha kryeministri Kurti, raporton Zëri.

Veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës, padyshim që bën edhe kujtimin tonë për të të pashlyeshëm, por njëkohësisht ajo ngelet edhe si trashëgimi për brezat e artdashësve të cilët do të vijnë pas saj, tha më tej ai.

“Me veprimtarinë dhe krijimtarinë e saj artistike, regjisorja Burbuqe Berisha ka lënë gjurmë që shkëlqejnë në teatrin dhe filmin tonë, në kulturën tonë. Vdekja na e rrëmbeu shumë herët, kurse kujtimi për të na mbetet i përjetshëm,” shkroi kryeministri Kurti në Librin e Zisë.

Të ngjashme