Kurti: Bush do të mbajë një vend të nderuar në historinë e shqiptarëve

Prishtinë | 01 Dhj 2018 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e ish-presidentit të SHBA-ve, George H.W. Bush, veprën e të cilit e ngre lart.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Bush do të mbajë një vend të nderuar e do të respektohet në historinë e shqiptarëvve.

Përveç kontributit të tij për shqiptarët, Kurti ka përmendur edhe meritat e tij për bashkimin e Gjermanisë dhe investimin e tij të vazhdueshëm në në forcimin e Bashkimit Evropian e të NATO-s.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Sot morëm lajmin pikëllues për vdekjen e presidentit të 41-të të ShBA-ve, z. George H.W. Bush. Në fund të vitit 1992, kur në Kosovë represioni dhe mizoria e aparatit shtetëror të Serbisë ishin në kulm, presidenti G.H.Ë. Bush i dërgoi një mesazh të fortë tiranit serb, Milosheviqit, ku i thoshte se në rast se Serbia shkaktonte konflikt në Kosovë, ShBA-të ishin të gatshme të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë madje edhe në Serbi kundër Serbisë e në mbrojtje të Kosovës.

Për këtë arsye presidenti George H.W. Bush do të mbajë një vend të nderuar e do të respektohet në historinë e shqiptarëve.

Ai ishte një veteran i dalluar i Luftës II Botërore, një diplomat i niveleve më të larta, një ndër aktorët kryesorë meritorë për rrëzimin e perdes së hekurt dhe për demokratizimin e Evropës Lindore. Bashkë me kancelarin gjerman Helmut Kohl ai u angazhua për bashkimin e Gjermanisë, dhe vazhdimisht investoi në forcimin e Bashkimit Evropian e të NATO-s.
Si një politikan i moderuar, e partizan i demokracisë, ai nuk binte pre e dëshirës për demonizimin e opozitës, e në sferën ndërkombëtare, edhe pse në krye të vendit më të fuqishëm në botë, ai nuk qeveriste me arrogancë. Sipas fjalëve të tij ai ëndërronte një botë ku “i madhi e respekton të voglin e nuk i imponohet”.

Sot, e ngushëllojmë familjen Bush.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme