Kurti: Çmimi i lirisë ishte i lartë, rrënjët e saj janë në gjakun e dëshmorëve

Prishtinë | 17 Shk 2018 | 15:28 | Nga

Me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aktivistë të Vetëvendosjes, anëtarë të kryesisë e deputetë, shkuan në Prekazin dhe bënë homazhe te varrezat e Jasharajve.

Kryetari i këtij subjekti Albin Kurti, tha se në këtë ditë duhet që të kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se rrënjet e saj janë në gjakun e dëshmorëve.

Fjala e Albin Kurtit pas homazheve në Prekaz:

Sot, me 17 shkurt, e gjithë Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kremtojnë dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, unë, që të gjithë i uroj për këtë festë shumë të rëndësishme për popullin, shoqërinë e për kombin tonë.

Por, njëkohësisht, neve na ndajnë më pak se tri javë nga Epopeja e UÇK-së, nga koha kur flijimi i tre brezave të Jasharajve do t’i mbushë dy dekada. Ne duhet që ta ndërlidhim çdo festë tonën shtetërore me atë që është e pazgjidhshme: me luftën çlirimtare, me kryengritjen popullore dhe me sakrificat e mëdha të popullit tonë, simbol madhështor i së cilave është pikërisht sakrifica dhe flijimi i Jasharjave.

Me 17 shkurt teksa padyshim festojmë, në të njëjtën kohë, padyshim edhe kujtojmë e përkujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se rrënjët e saj janë në gjakun e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit.

Ne sot jetojmë të lirë duke ju falënderuar atyre që e dhanë jetën për liri.

Të ngjashme