Kurti: Detyrë qytetare e obligim politik të kërkohet dorëheqja e Haradinajt, kryeprokurori u diskreditua

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 08:07 | Nga

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se duhet të kërkohet dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, e kryeprokurori Aleksandër Lumezi sipas tij është diskredituar.

“‘Nëse qeveria bëhet shkelëse e ligjit, ajo ushqen përbuzje për ligjin. Në këtë mënyrë qeveria i bën ftesë secilit person që të bëhet ligj më vete. Fton anarkinë’. (Gjykata Supreme në rastin Olmstead v. United States (1928)”, ka shruar Kurti, që shton se shteti i kapur është krizë ligjore.

“Amullia e qeverisë kosovare është vetë kjo qeveri. Ajo pengon sundimin e ligjit dhe çliron serinë e skandaleve. Së fundmi, kemi dorëheqjen e Prokurorit Blakaj, të kërcënuar nga kryeministri”, shkruan ai.

Ai ka kërkuar shkarkimin e Lumezit.

“Kryeprokurori i Shtetit u diskreditua. Me atë që e tha (për vartësin e vet) pas asaj që nuk e bëri (për qytetarët e vendit). Ai është dashur të shkarkohet menjëherë (me propozimin e KPK dhe vendimin e Presidentit ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës në Nenin 84 pika 17). Kryeministri i vendit është personi i cili duhet të administrojë dhe udhëheqë procesin e adresimit të së kaluarës, të krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të agresionit e të gjenocidit”, thotë Kurti.

Kurti shton se, “ai do duhej të kishte ndjeshmëri të thellë dhe përgjegjësi të lartë e t’u japë rëndësi të gjitha viktimave të luftës – qofshin ato civile apo jo. Mirëpo ky Kryeministër bëri të kundërtën duke ofenduar dhe poshtëruar viktimat civile të deportimit. Kjo është e papranueshme. Dhe, Kryeministri na e sulmoi argumentin kryesor të popullit dhe shtetit tonë karshi Serbisë. Është detyrë qytetare dhe obligim politik të kërkohet dorëheqja e Ramush Haradinajt. Është e drejtë institucionale dhe nevojë shtetërore të shkarkohet ai”.

Sipas Kurtit një Kryeministër i këtillë sikurse edhe një Kryeprokuror i atillë nuk i bëjnë nder vendit tonë dhe i bëjnë dëm shtetit tonë.

“Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet në sistem. Ai duhet pastruar nga matrapazët dhe duhet pasuruar me energji të re. Prandaj, duhet ndryshuar legjislacionin aktual të prokurorisë i cili pamundëson qasjen e personave të cilët nuk kanë kaluar disa vite nëpër të njëjtin sistem të kalbur”, ka thënë Kurti.

Kurti thekson se nuk duhet të merremi vetëm me politikanë të korruptuar.

“Është koha të pastrojmë vendin si nga prokurorët e dobët po ashtu edhe nga prokurorët e ligë, nga gjyqtarët e korruptuar dhe nga avokatët e pazotë. E pastaj, jo vetëm qeveria e re, por asnjë qeveri e ardhshme s’do të jetë kurrë më si këto të vjetrat”, ka shkruar kreu i VV-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme