Kurti e pret në zyrë policin që e kishte arrestuar para 16 viteve

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.

Takimi u mbajt pas operacionit dhe angazhimin e njësive speciale të Policisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative, i cili ishte udhëheqës i operacionit në veri.

Kurti tha se Ahmetin e ritakoi pas 16 viteve teksa ka ndarë edhe një fotografi kur Ahmeti e kishte arrestuar Kurtin atë kohë gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në zyren time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar Kurti.

Në vitin 2015 në protestat e dhunshme të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Shefi i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti, ishte lënduar rëndë në kokë dhe njërin sy dhe kishte shkuar në Turqi për mjekim.

Të ngjashme