Kurti: Është e rëndësishme që të adresohet e shkuara dhe transmetimi ndër-brezorë i traumës

Prishtinë | 13 Tet 2021 | 19:33 | Nga Ekonomia Online

“Sot i falënderohemi për forcën e pashembullt zonjës Vasfije Krasniqi, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt, si dhe zonjës Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila ka ndarë rrëfimin e saj në librin për të cilin jemi mbledhur këtu”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e promovimit të librit dhe ndarjes së çmimit “Vasfije Courage Award”, në njëzetë e dy vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës.

Ai vlerësoi si të rëndësishëm dhe të veçantë librin “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve”, të autores Wiola Rebecka, që përmbledhë rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nga pjesë të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e adresimit të së shkuarës dhe trajtimit të transmetimit ndër-brezorë të traumës. “Marrë parasysh sa pak kemi bërë për të adresuar të shkuarën e për t’u ballafaquar me të, është një lloj luksi që të merremi në këtë moment edhe me transmetimin ndër-brezorë të traumës. Nëse nuk fillojmë të merremi tash me të, do të na ndjekë dhe zë pas shumë viteve, sërish të papërgatitur,” tha ai.

Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje më të madhe, potencoi kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar zonja Vasfije dhe zonja Shyhrete,

E nderuar zonja Kadire,

E nderuara Feride,

E nderuar zonja Wiola Rebecka,

E nderuara zonja Supriti Dhar,

E nderuara prokurore e Prokurorisë Speciale, zonja Drita Hajdari,

I nderuari ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Të nderuar mysafirë,

Dëshiroj të filloj fjalën time duke ju falënderuar për ftesën dhe natyrshëm, Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës t’ia uroj 22 vjetorin e themelimit. Ka shumë pak organizata, qendra e entitete në Kosovë që në një formë interdisciplinare adresojnë nevojat e të mbijetuarve të torturës ashtu siç e bën Qendra juaj.

Puna me të mbijetuarit e torturës nuk është aspak e lehtë. Nevojitet një gamë e gjerë iniciativash të cilat gërshetohen dhe arrijnë të adresojnë një pjesë jo të madhe të problemit.

Në Kosovë për fat të keq këto iniciativa e ky gërshetim deri tash është bërë kryesisht nga organizatat e shoqërisë civile, me përkrahje minimale nga shteti. Me iniciativë edhe më minimale nga shteti.

Është e rëndësishme që të adresohet e shkuara, dhe bartësve të dëmit nuk u intereson aq se prej kujt adresohet, prapëseprapë është jetike që adresimi i të shkuarës të jetë stabil. E stabiliteti nënkupton iniciativa solide të cilat qasjen e kanë nga poshtë-lartë, por realizimin e kanë nga institucionet kompetente e adekuate të shtetit.

I përmend këto sepse janë me shumë rëndësi në momentin kur flasim për të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shteti ka dështuar që t’u njoh statusin e viktimave civile deri në vitin 2014. E megjithatë, falë punës së profesionistëve të fushës, këto gra e burra kanë pasur përkrahje në vazhdimësi. Sot, dëshiroj të theksoj se do të kenë përkrahje edhe më të madhe sepse tash i kanë në krah edhe institucionet e shtetit të tyre.

Është i rëndësishëm sa edhe i veçantë libri që po promovohet sot. Libër ky që bënë bashkë ekspertizën e autores Wiola Rebecka në psikologjinë e traumës dhe shërimit, me rrëfime nga mbarë bota e nga periudha të ndryshme kohore, të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe traumave të shumëfishta e të stigmatizimit.

Ne nuk mundemi as të imagjinojmë tmerrin që të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës kanë përjetuar, e as vuajtjet e vazhdueshme pas luftës, traumat, izolimin dhe stigmën.

Prandaj sot u falënderohemi për forcën e pashembullt zonjës Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt, si dhe zonjën Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila ka ndarë rrëfimin e saj në librin për të cilin jemi mbledhur këtu.

Unë natyrisht nuk kam pasur mundësi ta lexoj librin, duke mos e pasur atë ende, megjithatë kur isha duke lexuar mbi biografinë e autores dhe përshkrimin e librit, më ra në sy diçka. Kur përshkruan veten, autorja shprehimisht thotë: “Jam gjenerata e tretë e të mbijetuarës së përdhunimit nga Holokausti e ndikuar personalisht nga trauma transgjeneracionale”.

Ky termi “traumë transgjeneracionale” konsideroj se është tejet i rëndësishëm, por shumë pak i hulumtuar te ne. E kuptueshme është që marrë parasysh sa pak kemi bërë për të adresuar të shkuarën e për t’u ballafaquar me të, është një lloj luksi që të merremi në këtë moment edhe me transmetimin ndër-brezorë të traumës. Nëse nuk fillojmë të merremi tash me të, do të na ndjekë dhe zë pas shumë viteve, sërish të papërgatitur.

Para disa viteve u pata përballë me konceptin e traumës transgjeneracionale përmes Philippe Sands dhe Jan Kizilhan, të cilët flasin për tre lloj traumash: trauma individuale – ku abuzimi ndjehet direkt nga personi, trauma kolektive – ku abuzimi shpërndahet edhe tek anëtarët e komunitetit, dhe trauma transgjeneracionale ku krimet e shkuara barten nëpër breza. Sands më kujtohet që flet pikërisht për atë që në librin që promovohet sot flet autorja Rebecka – traumën transgjeneracionale që fëmijët përjetojnë sot si rezultat i krimeve më të cilat janë përballur gjyshërit e tyre.

Prandaj është jashtëzakonisht e vlefshme dhe e dobishme që të përdorim platforma si kjo, që të diskutojmë mbi atë që ka ndodhur, si është adresuar, dhe cila është mënyra më e mirë që të trajtohen në afat të gjatë përjetime të tilla.

Vetëm duke diskutuar direkt me bartësit e dëmit, do të arrijmë që sado pak t’i afrohemi adresimit të nevojave të tyre në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Ju falemnderit.

Të ngjashme