Kurti kujton dy muzikantët ikonikë të Mitrovicës që u vranë tri orë para ndërhyrjes së NATO-s

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar dy muzikantët ikonikë të Mitrovicës që u vranë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, 22 vjet më parë.

“Dy anëtarë të grupit “MAK”, vokalisti Haki Misini dhe bateristi Mehmet Tupella, janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999 në qytetin e Mitrovicës, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë. Trupi i këngëtarit Haki Misini u gjet në Suhodoll të Mitrovicës në vitin 2005, ndërsa Mehmet Tupella ende rezulton i zhdukur. Trishtimin që përjetoi familja, e shpjegon në një dokumentar edhe Urimi, djali i Haki Misinit”, ka shkruar Kurti.

Për rok grupin “MAK”, që u formua në vitin 1973 dhe ka funksionuar deri në vitin 1978, Kurti ka shkruar se ai konsiderohet ndër grupet me krijimtari të mirëfilltë e të pasur të rok muzikës në Kosovë me merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vendin tonë.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi.

“Këngët e Hakiut vazhdojnë të interpretohen edhe sot nga artistë të ndryshëm, si “Moj e mira te pojata”, “Në syrin tënd pash një lot”, “Idila verore”, “Tri gota”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, dhe shumë këngë të tjera”.

Të ngjashme