Kurti në Bruksel: Të zhvillohet debat në kuvend për dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 19:01 | Nga

Pas aktiviteteve në Paris, Kryetari Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, vazhduan sot udhëtimin për Bruksel në një vizitë dy ditore për t’u takuar me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Belgjikë.

Përfaqësuesit e Lëvizjes u pritën sot në takim nga eurodeputeti Tonino Picula, që kryeson delegacionin e marrëdhënieve të Parlamentit Evropian (PE) me Kosovën, dhe eurodeputeti Igor Soltes, Raportuesi për Kosovën në PE. Në këto takime, ndër të tjera, përfaqësuesit e Lëvizjes ngritën shqetësimin për ultimatumin e dhënë nga Beogradi përmes strukturave paralele në Kosovë për themelimin e njëanshëm të “Zajednicës”, si dhe nevojën për të vlerësuar dialogun e zhvilluar deri më sot me Serbinë dhe për të vendosur një agjendë e format me objektiva e parime të qarta lidhur me dialogun. Kryetari Kurti theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për ta zhvilluar debatin mbi dialogun së pari në Kuvendin e Republikës, në vend që të caktohen takime të fshehta Thaçi-Vuçiq të pautorizuara nga Kuvendi.

Në prag të publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën u diskutua gjithashtu për rrugën e integrimit evropian dhe liberalizimin vizave, gjendjen socio-ekonomike si dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku Lëvizja ka dhënë prova se ka vullnetin, dijen, vendosmërinë dhe alternativën për të ndërtuar në Kosovë si shtetin e së drejtës po ashtu edhe atë zhvillimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme